Ukraina po përballet me rritje të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së saj hekurudhore. Numri i sulmeve është trefishuar muajt e fundit dhe dëmet kapin 1 miliard dollarë. Rrjeti hekurudhor, i cili është jetik për transportin e mallrave, pasagjerëve dhe mbështetjen ushtarake, synohet gjithnjë e më shumë nga dronët Shahed. Pavarësisht goditjeve të rënda, sistemi vijon të funksionojë dhe të mbajë vendin të lidhur në një moment kritik
Ukraina ka regjistruar trefishim të numrit të sulmeve mbi sistemin e saj hekurudhor që nga korriku, teksa Moska përpiqet të shkatërrojë një nga sistemet kyçe logjistike të Kievit.
Oleksii Kuleba, zëvendëskryeministër me përgjegjësi për infrastrukturën, ka thënë se sulmet mbi rrjetin që nga fillimi i vitit 2025 kanë shkaktuar dëme totale prej 1 miliard dollarësh.
“Nëse krahasojmë vetëm tre muajt e fundit, sulmet janë trefishuar”, ka thënë Kuleba. “Që nga fillimi i vitit ka pasur 800 sulme mbi infrastrukturën hekurudhore, dhe më shumë se 3.000 objekte hekurudhore janë dëmtuar. Ajo që po shohim në këto sulme të përshkallëzuara është se ata synojnë trenat, duke u përpjekur veçanërisht të vrasin drejtuesit e tyre”.
Në një vend të madh sa Ukraina, hekurudhat janë kritike. Rrjeti hekurudhor shfrytëzohet për transportin e më shumë se 63 për qind të mallrave – përfshirë edhe eksportet e grurit dhe 37% të trafikut të pasagjerëve, sipas shërbimit shtetëror të statistikave. Ndihma ushtarake nga vendet e huaja shpesh mbërrin me tren.
Asnjë aeroport civil nuk ka funksionuar që nga pushtimi i plotë i Rusisë, kështu që shumica e njerëzve udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit - përfshirë vizitat e liderëve botërorë, me tren.
“Nuk është vetëm çështje sasie sulmesh, është edhe mënyra e veprimit e forcave armike”, ka thënë Oleksandr Pertsovskyi, kreu i hekurudhave shtetërore ukrainase, “Ukrzaliznytsia”. “Tani, me dronët e saktë Shahed, ata synojnë lokomotivat individuale”.
Janë ndërmarrë përpjekje për të mbrojtur më mirë rrjetin, duke përfshirë pajisjen e trenave me sisteme elektronike kundër sulmeve me dronë dhe ngritjen e ekipeve të mbrojtjes ajrore nga stafi hekurudhor.
Më herët këtë vit, ndërtesa kryesore e stacionit në Lozova në rajonin e Kharkivit u dëmtua rëndë nga një sulm me dron. Sulme të tjera kanë dëmtuar shinat. Pavarësisht sulmeve, pasagjerët ende presin në radhë për bileta dhe hipin në trenat drejt destinacioneve në të gjithë vendin.
“Ishte natë dhe të gjithë po flinin”, ka thënë Tetyana Tkachenko, udhëheqësja e stacionit, për një sulm të fundit. “U zgjova nga shpërthimi i madh sepse jetoj shumë afër stacionit. Ngjarja ndodhi në orën 2:44 të mëngjesit. Kishte pesë trena në stacion.
Ishte e qartë se ata po synonin stacionin. Donin ta bënin dhe e bënë”.
Tkachenko ka shpjeguar pse stacioni ishte cak. “Lozova ndodhet në një nyje kryesore”, ka thënë ajo. “Nga aty mund të shkosh në katër drejtime: në Dnipro, në Sloviansk, Poltava dhe Kharkiv”.
Linjat hekurudhore përdoren për trafikun e pasagjerëve, mallrave dhe mbështetje ushtarake, përfshirë evakuimin e ushtarëve të plagosur nga fronti lindor.