India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump për ndëshkime, thanë dy burime të qeverisë indiane, të cilët nuk deshën të identifikohen për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
“Këto janë kontrata afatgjata për naftën”, tha njëri prej burimeve. “Nuk është aq e thjeshtë t’i ndalosh menjëherë blerjet”.
Muajin e kaluar, Trump shkroi në një postim në rrjetin Truth Social se India mund të përballet me ndëshkime të tjera për blerjen e armëve dhe naftës nga Rusia. Të premten, ai u tha gazetarëve se kishte dëgjuar që India nuk do të blinte më naftë nga Rusia, raporton Reuters.
Por gazeta “The New York Times” të shtunën citoi dy zyrtarë të lartë indianë, që nuk u identifikuan, të kenë thënë se nuk ka asnjë ndryshim në politikën e Indisë. Njëri prej tyre tha se qeveria “nuk u ka dhënë asnjë udhëzim kompanive të naftës” për t’i ulur importet nga Rusia.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha të premten në një konferencë për shtyp se kur bëhet fjalë për burimet e energjisë, shikojnë se çfarë është e disponueshme në treg, çfarë u ofrohet dhe si është situata globale”.
Ai shtoi se India ka një partneritet të qëndrueshëm dhe të testuar ndër vite me Rusinë, dhe marrëdhëniet e Indisë me vende të ndryshme bazohen në interesat e saj.
Shtëpia e Bardhë në Washington nuk dha menjëherë një koment për këtë çështje.