Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Imazhet satelitore tregojnë dislokimin e trupave në kufirin Bjellorusi-Ukrainë

Imazhet satelitore të publikuara nga një kompani teknologjike me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shfaqur detaje mbi avancimin e dislokimeve të ushtrisë ruse në disa lokacione në Bjellorusi, lëvizje kjo për të cilën Ukraina dhe NATO-ja thonë se Kremlini po planifikon një inkursion në territorin ukrainas.

Madje, NATO-ja ka thënë se ky është dislokimi më i madh në Bjellorusi që prej Luftës së Ftohtë.

Dislokimet raportohet se lidhen me stërvitjet e përbashkëta midis forcave ruse dhe të Bjellorusisë, të cilat do të fillojnë të enjten, megjithatë fotografitë tregojnë kampe të krijuara pranë kufirit me Ukrainën, qindra milje larg vendit ku po zhvillohen stërvitjet, raporton CNN.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se po planifikon të sulmojë Ukrainën, pavarësisht grumbullimit masiv të trupave të Moskës në rajon.

Imazhet e publikuara nga kompania me seli në SHBA, Maxar Technologies shfaqën njësitë ushtarake të pajisura me raketa, raketahedhës dhe avionë sulmues të dislokuar në Bjellorusi në tri lokacione pranë kufirit që ky shtet ndan me Ukrainën.

Image
Foto: Maxar Technologies