Izraeli është në presion të madh nga shtetet aleate për gjendjen e rëndë të mijëra civilëve në Gaza teksa mijëra palestinezë janë larguar në këmbë nga veriu sepse kanë mbetur pa ushqim dhe ujë.
Më shumë se 70 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorëve të Gazas kanë braktisur shtëpitë e tyre, por numri i atyre që janë nisur në drejtim të jugut është shumëfishuar kur ushtria izraelite nisi luftimet brenda qytetit të Gazas.
Shtetet e G-7-s i kanë bërë thirrje për shpërndarje të papenguar të ushqimit, ujit, pajisjeve mjekësore dhe derivateve të naftës. Këto shtete kanë bërë thirrje për pauza humanitare në luftime.
Deri më tani kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka rezistuar këtyre thirrjeve, por ka lënë pak hapësirë për pushime shumë të vogla.
Vetëm të martën nga veriu i Gazas janë larguar 15 mijë civilë – tre fish më shumë sesa të hënën. Në mesin e tyre ka shumë fëmijë, të moshuar dhe persona me nevoja të veçanta. Shumica prej tyre kanë ecur zbathur.
Edhe
Dy vjet: Si e shkatërroi Izraeli Gazën
“Izraeli nuk vret vetëm Hamasin, nuk vret vetëm luftëtarët e rezistencës, po vret fëmijë, gra dhe të moshuar. Kështu po shkatërron ndërtesa me fëmijë. 70 fëmijë dhe 30 gra ishin brenda. Le të më tregojnë dikë të Hamasit në ndërtesë”, është shprehur Amer Al-Ghalban, civil i larguar nga Gaza.
Autoritetet palestineze kanë njoftuar se të martën numri i të vrarëve ka tejkaluar shifrën prej 10 mijë personave, përfshirë 4 mijë e 100 të mitur.
“Nuk ka ushqim dhe ujë, njerëzit po rrihen me njëri-tjetrin para furrave të bukës. Unë nuk kam para dhe nuk di se çfarë të bëjë. Familja ime është në jug dhe atje po shkoj edhe unë. Situata është shumë e vështirë. Situata është tragjike”, kanë thë civilët duke ikur nga Gaza.
Më shumë se 2 mijë e 300 të tjerë janë të zhdukur dhe besohet se janë varrosur nën rrënojat e ndërtesave.
Autoritetet palestineze nuk ndajnë civilët nga luftëtarët dhe Izraeli ka deklaruar se ka vrarë mijëra luftëtarë.
Edhe
Izraeli ua jep “mundësinë e fundit” palestinezëve që të largohen nga Gaza
Më shumë se 1 mijë e 400 persona janë vrarë në Izrael gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Izraeli ka premtuar se do të heqë Hamasin nga pushteti dhe do të asgjësojë kapacitetet ushtarake të grupit, teksa gjatë luftës tokësore në Gaza janë vrarë 32 ushtarë izraelitë.