Botë

Ian, një prej stuhive më të fuqishme në histori të SHBA-së

Uragani Ian ka të ngjarë të ketë shkaktuar “mbi 100 miliardë dollarë” dëme. Kjo do ta bënte Ian uraganin e katërt më të kushtueshëm në historinë e SHBA-së. Ndërkaq, së paku 30 persona janë konfirmuar të vdekur, përfshirë 27 në Florida. Shumica prej tyre janë mbytur, ndërkaq të tjerët nga rrethanat e stuhisë.

Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar në rrënojat e shtëpive të përmbytura në Florida teksa autoritetet në Karolinën Jugore kanë nisur të vlerësojnë dëmet e shkaktuara në një prej stuhive më të fuqishme që ka goditur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stuhia e fuqishme ka terrorizuar miliona njerëz brenda një jave, duke filluar nga Kuba, para se të godiste Floridan dhe krejt në fund fuqinë më të madhe që kishte e liroi ndaj Karolinës Jugore. Tani, cikloni post-tropikal është dobësuar gjatë kalimit në Karolinën Jugore.

Së paku 30 persona janë konfirmuar të vdekur, përfshirë 27 në Florida. Shumica prej tyre janë mbytur, ndërkaq të tjerët nga rrethanat e stuhisë. Çifti i të moshuarve ka vdekur kur pajisja e oksigjenit të tyre ishte ndalur në mungesë të energjisë elektrike.

Ndërkohë, miliona të tjerë kanë humbur shtëpitë dhe pronat e tyre. Balta ka përpirë gjithçka.

“Dua të ulem dhe të qaj. Nuk e di se çfarë të bëjë”, ka thënë Stevie Scuderi teksa po hiqte baltën nga shtëpia e saj.

Pawleys Island është një prej vendeve të goditura më së rëndi nga uragani Ian.

Eddie Wilder, i cili për më shumë se gjashtë dekada ka shkuar në plazhin e Pawleys Island, ka thënë se stuhia e së premtes ishte çmenduri. Ka thënë se dallgët arritën lartësinë e 8 metrave.

Ani pse Ian ka kaluar Floridan, problemet e reja kanë vazhduar të shfaqen. Një pjesë e autostradës prej 22 kilometrave është mbyllur të premten për shkak të sasisë së madhe të ujit që është derdhur nga lumi Myakka.

Ross Giarratana, meteorolog nga Shërbimi Kombëtar i Motit në Tampa, ka thënë se niveli i ujit në Mykka ka arritur në 3.88 metra.

Në juglindje, lumi Peace gjithashtu ishte në fazë të përmbytjeve të shtunën. “Ishte çmenduri të shihje se sa shpejt ngriheshin lumenjtë”, ka thënë ai. “E dinim se kishim të bënim me rekorde”.

Numri zyrtar i të vdekurve është rritur gjatë gjithë ditës së premte, me autoritetet që paralajmëruan se ka të ngjarë të rritet edhe më shumë pasi ekuipazhet të bëjnë një spastrim më të plotë të dëmit. Kërkimet kishin për qëllim shpëtimin emergjent dhe vlerësimet fillestare, ka thënë drejtori i Divizionit të Menaxhimit të Emergjencave në Florida, Kevin Guthrie.

Uragani Ian ka të ngjarë të ketë shkaktuar “mbi 100 miliardë dollarë” dëme, duke përfshirë 63 miliardë dollarë humbje në siguri private, sipas firmës së modelimit të fatkeqësive Karen Clark & Co., e cila rregullisht publikon vlerësime të katastrofave. Nëse vërtetohen këto shifra, kjo do ta bënte Ian uraganin e katërt më të kushtueshëm në historinë e SHBA-së.