Botë

I bëhen publike emailet me Epsteinin, jep dorëheqje kryetari i një firme të madhe ligjore në SHBA

Foto: AP

Brad Karp, kryetari i “Paul Weiss”, një prej firmave më të njohura të avokatisë korporative në SHBA, ka dhënë dorëheqje papritur nga posti i tij të mërkurën, pasi dosje të publikuara rishtazi zbuluan shkëmbimet e tij të emaileve me Jeffrey Epstein. 

“Të drejtoj Paul Weiss për 18 vjetët e fundit ka qenë nderi i jetës sime profesionale. Raportimet e fundit kanë krijuar një shpërqendrim dhe kanë vënë fokusin mbi mua, gjë që nuk është në interesin më të mirë të firmës”, ka thënë Karp në një deklaratë të mërkurën në mbrëmje.

Pavarësisht dorëheqjes nga pozita e kryetarit, ai do të vazhdojë të kryejë funksione të tjera në kompani.

“Karp është emëruar kryetar i Paul Weiss gati dy dekada më parë dhe do të vazhdojë t’i përkushtojë vëmendjen e tij me kohë të plotë shërbimit ndaj klientëve në firmë”, thuhet në një deklaratë të firmës për CNN.

“Paul Weiss”, ka njoftuar se Scott Barshay ka marrë drejtimin si kryetar.

Emailet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë javën e kaluar tregojnë se Karp dhe Epstein kanë mbajtur komunikime deri në vitin 2019, viti kur Epstein vdiq.

Më 22 korrik 2015, Karp, në një email, e falënderonte Epsteinin për mikpritjen e tij gjatë një mbrëmjeje që ai e quajti “një herë në jetë”.

“Jeffrey, nuk mund të të falënderoj mjaftueshëm që më përfshive në një mbrëmje që nuk do ta harroj kurrë. Ishte vërtet ‘një herë në jetë’ në çdo aspekt, megjithëse shpresoj të ftohem sërish. Je një mikpritës i jashtëzakonshëm….!!! Faleminderit edhe një herë. Shihemi së shpejti. Brad”

“Je gjithmonë i mirëpritur… ka shumë e shumë net me talente unike. Do të ftohesh shpesh”, ia kishte kthyer Epstein.