Personi i akuzuar për sulmet në dy xhamitë e Zelandës së Re është “i kthjellët nga mendja” dhe e kupton gjendjen me të cilën përballet, ka thënë të hënën avokati i caktuar për ta trajtuar rastin e tij.
Australiani Brenton Tarrant (28), një supremacist i bardhë, është paditur të shtunën për vrasje, pasi e ndërmori sulmin masiv që la të vdekur 50 persona në dy xhami të qytetit Christchurch. Tarrant ka refuzuar që të përfaqësohet nga një avokat, por gjykata megjithatë e caktoi Richard Petersin për ta trajtuar rastin e tij.
“Ai ishte i kthjellët nga mendja”, ka thënë Peters për rrjetin televiziv australian “Channel Nine”, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”. “Duket se e ka të qartë se me çfarë përballet dhe pse ndodhet këtu”. Tarrant ka dalë para drejtësisë zelandeze të shtunën dhe do të paraqitet sërish më 5 prill, kur pritet që të përballet me akuza të tjera.
Përpos 50 të vrarëve, sulmet e ndërmarra gjatë kohës së lutjeve të së premtes në dy xhami të Christchurchit kanë lënë të lënduar po ashtu edhe dhjetëra persona të tjerë, në atë që u cilësua si “dita më e errët në historinë e Zelandës së Re”.