Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar se do ta furnizojë Ukrainën me raketa “Storm Shadow” (Hija e Stuhisë) që sipas prodhuesit të cituar nga BBC-ja, kanë rreze veprimi deri 250 kilometra.
Raketat e tilla për ushtrinë e Ukrainës kanë qenë nën një lloj vetoje, pasi konsideroheshin se do ta vendosnin gadishullin e Krimesë dhe një pjesë të territorit rus në pëllëmbë të Qeverisë në Kiev, gjë që mbart rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të konfliktit.
Gjithsesi, tani Britania ka vendosur ta forcojë Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.
Për krahasim sistemet amerikane “Himars”, të cilat Ukraina i mori më herët, kanë rreze veprimi deri 80 kilometra. Ato janë konsideruar si storie suksesi pas ndihmës në kundërofensivat ukrainase.
Ato lansohen nga aeroplanët luftarakë, kështu që sa më gjatë të jetë rrezja e veprimit aq më larg vijës së frontit mund të qëndrojnë pilotët ukrainas. Me t’u lansuar, “Storm Shadow” fluturon më ulët për ta evituar detektimin nga radari i armikut, para se të godasë në shënjestër.
Britania ka konfirmuar se këto raketa mund të shfrytëzohen edhe nga aeroplanët sovjetikë, që Ukraina i posedon. Lajmi u bë i ditur nga Ben Wallace, ministri britanik i Mbrojtjes, të enjten. Vendimi, siç ka thënë ai, u mor pasi Rusia e bëri të qartë se “po vazhdon praktikat e këqija” dhe po sulmon civilët në Ukrainë.
Ukraina ka kërkuar nga aleatët armë të tilla qe disa muaj, për t’i ndërmarrë “potencialisht, kundërofensivat finale dhe ta kthejë territorin e vet nga duart e rusëve. Pas “Himars”, Kievi po kërkonte sisteme amerikane të reja, por Washingtoni nuk i ka dorëzuar.
Edhe
Ukraina sulmon Rusinë për herë të parë me raketat britanike “Storm Shadow”
Wallace ka njoftuar po ashtu se ka paralajmëruar homologun rus, Sergei Shoigu, se nëse vazhdojnë sulmet ndaj infrastrukturës civile, Britania do të detyrohet të dërgojë armë edhe më të avancuara në Kiev.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, ka thënë se Ukraina s’do t’i përdorë këtë armë me rreze të gjatë për sulme ndaj Rusisë.
Një “Storm Shadow” kushton rreth 2.3 milionë euro.