Botë

Helmohet gruaja e shefit të spiunazhit të Ukrainës

(BBC) - Gruaja e shefit të spiunazhit të Ukrainës, gjenerallejtënant Kyrylo Budanov, është helmuar me “toksina të rënda”, kanë raportuar mediat ukrainase. Marianna Budanova u dërgua në spital pasi nuk ndjehej mirë që një “periudhë të gjatë kohore”, ka raportuar uebfaqja e lajmeve Babel.

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës nuk i ka komentuar publikisht raportet. Nuk është komentuar as nëse Rusia qëndron pas helmimit të supozuar.

Faqja e lajmeve e Ukrainës, Ukrainska Pravda, ka njoftuar se disa zyrtarë të tjerë të inteligjencës janë helmuar gjithashtu. Megjithatë, nuk dihet nëse gjenerali Budanov ka qenë cak i helmimit. Gjenerali, i cili udhëheq Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës (DIU) të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, ka luajtur një rol kyç në planifikimin dhe ndonjëherë edhe në ekzekutimin e operacioneve të mëdha ushtarake kundër forcave ruse.

Faqja e lajmeve Babel, e cila ishte e para që raportoi për helmimin e supozuar, ka cituar një nga burimet e saj në inteligjencën ukrainase të ketë thënë se Budanova po monitorohet nga mjekët. Zyrtari i paidentifikuar ka shtuar se substancat me të cilat ishte helmuar Budanova “nuk ishin përdorur asnjëherë në jetën e përditshme ose në operacionet ushtarake”.

Zyrtari nuk ka dhënë detaje të tjera. Faqja e lajmeve Ukrainska Pravda, më vonë ka cituar burimet e veta të kenë thënë se helmimi i Budanovas ishte konfirmuar pas analizave.

Faqja e internetit ka shtuar se me shumë gjasa asaj i ishte dhënë ushqim i helmuar, por tani “ndihet më mirë”. Zyrtari i lartë i DIU-së, Andriy Yusov, ka thënë për Ukrainska Pravda në fillim të këtij viti, se kishte pasur më shumë se 10 tentativa për vrasje kundër gjeneralit Budanov.