Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hapja para verës: BE-ja heq karantinimin për të vaksinuarit nga 1 korriku

Në kuadër të propozimeve të KE-së është paraparë që qysh nga fillimkorriku të gjitha 27 vendet anëtare të fillojnë me pranimin e ashtuquajturave pasaporta digjitale që ofrojnë dëshmi mbi vaksinimin, testimin dhe shërimin nga COVID-19

Zbutjet e para të masave anti-COVID në prag të sezonit të pushimeve verore për personat që jetojnë përbrenda Bashkimit Evropian do të fillojnë që nga 1 korriku, teksa Brukseli zyrtar ka propozuar eliminimin e detyrimit për karantim mes të gjithë personave që janë tërësisht të vaksinuar kundër koronavirusit.

Nisur nga e marta do të jetë i gatshëm për funksionim edhe sistemi që do t’ua lejojë shteteve anëtare lëshimin e pasaportave digjitale për COVID, me anë të të cilave qytetarët mund ta dëshmojnë statusin e tyre të vaksinimit dhe të lejohen që të ndërmarrin të lirë udhëtime brenda bllokut, ka raportuar të hënën e përditshmja britanike “The Guardian”.

Përderisa shkalla e të infektuarve ka filluar trajektoren e rënies në BE, 1 korriku është caktuar si afat kur të gjitha 27 vendet anëtare do të nisin t’i pranojnë dokumentacionet si dëshmi të mjaftueshme imunimizimi për udhëtime. Testet negative për koronavirus apo dëshmia për shërim nga COVID-19 do të përfshihen gjithashtu në të dhënat e bartësve të certifikatës. Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu një periudhë standarde validiteti për testet: 72 orë para udhëtimit për testet PCR dhe 48 orë për testet rapide me antigjen.

Sipas propozimit, të raportuar nga “Guardian”, edhe fëmijët e personave që janë plotësisht të vaksinuar do të përjashtohen nga karantimi, teksa është paraparë që askush nën moshën gjashtëvjeçare të mos i nënshtrohet testimit për virus. Por shumë shtete pritet që të vendosin prag më të lartë moshe për testimin e të miturve.

“Synimi është që udhëtarët e vaksinuar nga Mbretëria e Bashkuar të përfitojnë gjithashtu nga sistemi i COVID pasaportave por, si pasojë e shfaqjes së variantit të identifikuar fillimisht në Indi, qeveritë e BE-së mund ende t’u zbatojnë kufizime udhëtarëve që vijnë nga ky vend, duke i përfshirë në këtë mes dëshmitë me teste apo obligimin për karantinim”, ka shkruar gazeta.

Edhe BE-ja rekomandon udhëtimin pa teste për personat e vaksinuar Botë BE-ja rekomandon udhëtimin pa teste për personat e vaksinuar

Ndërkaq nisur nga e hëna, hyrja në Franca u është kufizuar shtetasve të BE-së, banorëve francezë apo atyre që udhëtojnë për synime esenciale. Personat që mbërrijnë nga Britania duhet ta kenë testin negativ dhe të karantinohen për shtatë ditë.

Derisa përkeqësimi i përnjëhershëm i shkallës së infektimeve me koronavirus në Britani të Madhe mund të shpjerë drejt përdorimit të të ashtuquajturve “frerë emergjentë” për heqjen e kufizimeve përbrenda bllokut, synimi është që të rizbatohet liria e lëvizjes me fillimin e sezonit të turizmit veror, kanë bërë të ditur burime nga BE-ja.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në Twitter se “evropianët duhet që të gëzojnë verë të sigurt dhe relaksuese”.

“Derisa vaksinimi po avancon, ne propozojmë zbutje graduale të masave të udhëtimit në mënyrë të koordinuar me mjetin tonë të përbashkët: certifikatën digjitale evropiane të COVID-it. Ajo do të sjellë qartësi të parashikueshme, derisa i vazhdojmë udhëtimet e lira në BE”, ka shkruar ajo.

Përveç heqjes së karantinës për të vaksinuarit nga 1 korriku, Komisioni ka propozuar që çdokush që vjen nga një rajon “i gjelbër” i BE-së, siç është Finlanda, ku ka më pak se 25 raste për 100.000 banorë gjatë 14 ditëve të mëhershëm, duhet të lirohet plotësisht nga kufizimet.

Ata që nuk janë plotësisht të vaksinuar, pra që kanë marrë vetëm njërën prej dy dozave të nevojshme për imunizim, dhe që vijnë nga rajonet “e portokallta” duhet të kryejnë testime para largimit.

Edhe BE-ja pajtohet rreth certifikatave të vaksinimit për udhëtime Botë BE-ja pajtohet rreth certifikatave të vaksinimit për udhëtime

Didier Reynders, komisionari evropian për Drejtësi, ka thënë për “Guardian” se “javët e ardhshme kanë sjellë një trend të vazhdueshëm të rënies së numrit të infeksioneve, në atë që e dëshmon suksesin e fushatave të vaksinimit përreth BE-së”.

Megjithëkëtë, Mbretëria e Bashkuar ende nuk është përfshirë në “listën e bardhë” të vendeve joanëtare të BE-së. Me gjithë vonesën, vendet si Portugalia veçse i kanë hapur dyert për turistët britanikë. \ Guardian