Botë

Me sytë nga turizmi, vendet e BE-së lëshojnë certifikata të vaksinimit

Ndonëse ishte paralajmëruar prej 1 korrikut, Greqia, Gjermania, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Kroacia dhe Polonia kanë filluar përdorimin e sistemit të certifikatave të vaksinimit për udhëtarët përbrenda Bashkimit Evropian

Greqia, Gjermania dhe pesë shtete të tjera të Bashkimit Evropian kanë prezantuar të martën sistemin e certifikatave të vaksinimit për udhëtarët, disa javë para nisjes së zbatimit të këtij programi në gjithë bllokun 27-anëtarësh, më 1 korrik.

Mes vendeve të tjera që kanë nisur parakohshëm veprimin listohen Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Kroacia dhe Polonia, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Greqia, e cila varet ekonomikisht nga turizmi, ka insistuar prej kohësh për një certifikatë të pranuar gjithandej që e përdor një kod QR me tipare të avancuara të sigurisë. Certifikatat janë duke u lëshuar për personat që janë tërësisht të vaksinuar, si dhe për ata që veçse janë prekur nga koronavirusi dhe kanë zhvilluar antitrupa ndaj tij. Por edhe për udhëtarët e tjerë që kanë kryer testet PCR brenda 72 orëve para udhëtimit.

Dokumentet do të përmbajnë si format digjitale ashtu edhe ato në letër. Janë pa pagesë, ndahen në gjuhët kombëtare, plus anglisht dhe do të vlejnë në të gjitha vendet e bllokut.

“Qytetarët e Bashkimit Evropian mezi po presin të udhëtojnë përsëri dhe duan që të jenë të sigurt gjatë udhëtimit. Të pasurit të një certifikate të BE-së është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë komisarja e BE-së për Shëndetësi, Stella Kyriakides.

Ministri grek i qeverisjes digjitale, Kyriakos Pierrakakis, ka thënë se udhëtimet më të lehta do të jetësohen përbrenda BE-së, teksa shtetet janë duke e adoptuar standardin e ri të verifikimit.

“Ajo që ndodh është se vendet do të ndalojnë së lëshuari certifikata kombëtare dhe do të përdorin një certifikatë të përbashkët. Kjo mënyrë do t’i thjeshtëzojë gjërat në mënyrë të konsiderueshme, ngase mund ta merrni me mend numrin e marrëveshjeve bilaterale që do të nevojiteshin që gjërat të funksiononin si duhet”, ka thënë Pierrakakis në një deklarim për televizionin publik “Skai”.

Kyriakides ka theksuar se gjatë disa javëve të ardhshme të gjitha vendet anëtare të BE-së do t’i “finalizojnë tërësisht sistemet e tyre kombëtare për lëshimin, ruajtjen dhe verifikimin e certifikatave, në mënyrë që sistemi të jetë funksional me kohë për pushimet verore”.

Kësisoj, vendet do të jenë të lira që t’i përfshijnë në listat e tyre individuale të hyrjes edhe vaksinat shtesë, përfshirë ato që nuk janë miratuar zyrtarisht për përdorim përreth BE-së.

Komisioni i BE-së beson se personat e vaksinuar nuk duhet të testohen më për koronavirus apo që t’i nënshtrohen rregullit të karantinimit, pa marrë parasysh se prej nga dhe ku udhëtojnë.

Certifikatat e ashtuquajtura të gjelbra janë lëshuar pas dy muajsh përgatitje, një periudhë kjo relativisht e shkurtër, duke pasur parasysh koordinimin e nevojshëm mes vendeve anëtare.

Synimi afatgjatë i tyre është që të gjithë qytetarët brenda bllokut të pajisen me certifikata dhe që udhëtarët prej jashtë të jenë në gjendje të pajisen me të tilla me të mbërritur. Sigurimi i tyre për personat jashtë bllokut mund të jetë problematik, duke pasur parasysh faktin se jo të gjitha vendet u kanë siguruar qytetarëve dokumente të sigurta vaksinimi.

Komisioni Evropian është në bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth mënyrës së verifikimit të statusit të vaksinimit për vizitorët amerikanë. Ndërkaq SHBA-ja u ka kërkuar vendeve të BE-së që ta heqin kërkesën për teste dhe karantinimin për personat e vaksinuar apo për ata që porsa janë shëruar nga koronavirusi.