Përditësuar, 23:10 - Publikohet fotografia e parë e pengjeve të liruara nga Hamasi
Janë publikuar pamjet e para të Judith dhe Natalie Raananit, dy pengjet që u liruan të premten nga Hamasi. Fotografia u shpërnda nga Qeveria e Izraelit.

Grupi militant palestinez, Hamas, ka konfirmuar të premten se ka liruar dy pengje, nënë e bijë me shtetësi amerikane, siç kanë thënë ata, për arsye humanitare.
Sipas njoftimit të tyre, kjo ka ndodhur edhe nga përpjekjet e Katarit.
“Në përgjigje të përpjekjeve të Katarit, brigada al-Qassam liruan dy shtetase amerikane (nënën dhe vajzën e saj) për arsye humanitare”, ka thënë Hamasi në një deklaratë të postuar në Telegram.
Lirim e dy pengjeve e ka konfirmuar edhe Izraeli.
Hamasi mban rreth 200 pengje, të cilët i kishte rrëmbyer më 7 tetor kur ia mësyu Izraelit. Grupi militant herë pas here bën thirrje për armëpushim në këmbim të pengjeve.
Që nga nisja e konfliktit, mijëra viktima janë shënuar nga të dyja palët.