Hajdutët kanë përdorur një makinë të madhe shpimi për të thyer kasafortën e një degë banke në një rrugë kryesore në Gjermaninë perëndimore, prej nga kanë vjedhur rreth 30 milionë euro para të gatshme dhe sende me vlerë, ka bërë të ditur policia.
Një zëdhënës i policisë e ka krahasuar vjedhjen me filmin e Hollivudit "Ocean's Eleven", duke i thënë agjencisë së lajmeve AFP se gjithcka është "ekzekutuar shumë profesionalisht".
Gjatë grabitjes në bankën e kursimeve Sparkasse në qytetin e Gelsenkirchen, hajdutët kanë hapur më shumë se 3,000 kasaforta që përmbanin para, ar dhe bizhuteri.
Policia e Gelsenkirchenit ka thënë se u njoftua për krimin pasi një alarm zjarri ishte aktivizuar në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Deri më tani nuk janë bërë arrestime dhe autorët e krimit mbeten të lirë.
Policia ka thënë se hajdutët kishin përdorur "ditët e qeta të Krishtlindjeve" për të grabitur ndërtesën në Nienhofstrasse, në lagjen Buer.
Hetimet fillestare sugjerojnë se ata kishin krijuar qasje në bankë dhe ishin arratisur nëpërmjet një garazhi parkimi ngjitur.
Dëshmitarët kanë thënë se kishin parë disa burra që mbanin çanta të mëdha në shkallët e garazhit gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës.
Policia ndërkaq ka thënë se videopamjet tregojnë një Audi RS 6 të zi duke dalë nga garazhi, në De-La-Chevallerie-Strasse.
Vrima në dhomën nëntokësore të kasafortës u zbulua kur një alarm zjarri u aktivizua në orët e para të së hënës, dhe policia dhe zjarrfikësit kontrolluan ndërtesën.
Klientëve të prekur të bankës u është kërkuar të kontaktojnë bankën Sparkasse, e cila ka ngritur një linjë telefonike. Policia siguroi hyrjen e degës të martën pasi një numër i madh klientësh u mblodhën jashtë duke kërkuar informacion.
Një mesazh në faqen e internetit të bankës tha se dega do të mbetej e mbyllur të martën.
Sparkasse ka thënë se 95% e kasafortave të klientëve ishin hapur me forcë nga hajdutët, kështu që gjasat që ata të jenë prekur janë "shumë të larta".