Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Greqia mirëpret vizitorët me masa të rrepta sigurie

Greqia ka hapur aeroportet kryesore për më shumë fluturime ndërkombëtare të hënën, duke shpresuar në ringjalljen e sektorit të turizmit që është shumë vital për këtë shtet, pas disa muajve të karantinës, shkruan Reuters.

Turizmi punëson rreth 700.000 njerëz dhe përbën afro 20% të ekonomisë se Greqisë, andaj ky sektor është shumë i rëndësishëm për rimëkëmbjen e këtij shteti. Greqia doli nga një krizë ekonomike vetëm para dy vjetëve, krizë e cila zgjati me dekada.

Rreth 33 milionë turistë vizituan këtë shtet vitin e kaluar, duke siguruar fitime prej 19 miliardë eurove.

Udhëtarët që arrijnë nëpër aeroporte nga shtetet e përcaktuara si të rrezikut të lartë nga Agjencia e Sigurisë së Aviacionit e BE-së do të testohen për koronavirus dhe do të futen në karantinë për 14 ditë, varësisht nga rezultatet e testit. Kufizimet ende ekzistojnë për udhëtarët nga Britania dhe Turqia. Udhëtarët nga aeroportet e shteteve tjera do të testohen gjithashtu, transmeton KOHA.

Kufizimet e lëvizjes të vendosura në muajin mars i ndihmuan Greqisë që të ndalte përhapjen e infektimeve me COVID-19 në pak më shumë se 3.000 raste, numër ky relativisht i vogël krahasuar me shtete tjera të BE-së. Por sidoqoftë kufizimet e ndalën në tërësi ekonominë.

Tani qeveria konservatore përballet më detyrën e vështirë që të hapë shtetin ndaj vizitorëve të huaj, në të njëjtën kohë duke qetësuar brengat publike për një valë të dytë të infektimeve.

Nga ishulli piktoresk i Santorinit, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u tha gazetarëve të shtunën se prioriteti i tij ishte ta bënte Greqinë destinacionin më të sigurt në Evropë.

“Mund të vini në Greqi dhe të keni një përvojë fantastike, mund të rini në verandë me pamje fantastike, të pini verën e mirë Assyrtiko, të kënaqeni në plazh”, tha Mitsotakis, me një pamje magjepse prapa tij. “Por nuk dëshirojmë që të tuboheni nëpër plazhe, janë disa gjëra që nuk do t’i lejojmë këtë verë”, shtoi ai.

Artikuj të ngjashëm