Greqia ka hapur sezonin turistik, duke lehtësuar shumicën e masave anti-COVID dhe duke deklaruar se “po e lënë mbylljen tashmë prapa”.
Vaksinimi në këtë shtet po vazhdon të kryhet ndërkohë që, brenda ditës raportohet për rreth 2,000 raste të reja pozitive me koronavirus.
Turistët gjermanë tashmë kanë nisur udhëtimet për pushime në këtë shtet ballkanik. Ndërkaq, qytetarët britanikë, që nga 17 maji janë lejuar të udhëtojnë drejt këtij vendi ndonëse janë këshilluar që të mos e bëjnë këtë ende.
Pavarësisht hapjes së sezonit turistik, shteti grek po vazhdon të mbajë disa prej masave për parandalimin e përhapjes së virusit. Një prej tyre është që ora policore tani është nga ora 00:30 deri në 05:00.
Sipas raporteve, një e pesta e ekonomisë së Greqisë është e varur nga turizmi, derisa 20% e të punësuarve janë në këtë sektor.
Ndërkohë, të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt këtij shteti duhet të plotësojnë një aplikacion një ditë para se të nisen për atje, të tregojnë se ku do të qëndrojnë, të pajisen me certifikatën e vaksinimit dhe të kenë një test negativ PCR ose një dokument që dëshmon se e ka tejkaluar COVID-19.