Numër i madh grash në rajonet veriore dhe qendrore të vendit kanë demonstruar me armë në duar teksa militantët talebanë po shënojnë avancime të theksueshme territoriale në Afganistan, pas tërheqjes së forcave amerikane dhe atyre të NATO-s
Gratë kanë rrokur armët në Afganistanin verior dhe atë qendror, duke marshuar rrugëve dhe duke ndarë nëpër rrjetet sociale fotografitë e tyre me kallashnikovë në duar, në demonstrimin e hapur të mosbindjes ndaj militantëve talebanë që po shënojnë avancime të theksueshme territoriale në mbarë vendin.
Një prej demonstrimeve më të mëdha, sipas të përditshmes britanike “Guardian”, ishte në krahinën qendrore Ghor, ku me qindra gra marshuan gjatë fundjavës, duke ngritur lart armët dhe duke brohoritur slogane antitalebane.
Ato nuk është se do të shkojnë në vijën e parë të frontit brenda një të ardhmeje të afërt, si për shkak të konservatorizmit shoqëror ashtu edhe për mungesë të përvojës. Porse demonstrimi publik, në kohën e kërcënimit evident prej militantëve, përbën një pasqyrim të qartë sesa të frikësuara janë gratë për atë çfarë sundimi taleban do të mund të nënkuptonte për to dhe për familjet e tyre.
“Janë disa prej grave që thjesht duan që t’i frymëzojnë forcat e sigurisht, simbolikisht, por shumë prej tyre janë edhe të gatshme për fushëbetejë”, ka thënë Halima Parastish, kryesuese e drejtorisë për gratë në Ghor dhe njëra prej marshueseve. “Këtu përfshihem edhe unë. Unë dhe disa nga gratë e kemi njoftuar kryebashkiakun një muaj më parë se jemi të gatshme që të shkojmë dhe të luftojmë”, ka shtuar ajo, duke folur për “Guardian”.
Rikthimi i kufizimeve
Edhe
Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit

Talebanët kanë shtrirë ndikimin nëpër zonat e gjera rurale të Afganistanit, duke marrë nën kontroll me dhjetëra qarqe, përfshirë edhe krahinën veriore Badakhshan, e cila rreth 20 vjet më parë ishte vatër e antitalebanizmit. Ata tani kanë nën rrethim shumicën e kryeqyteteve krahinore.
Në shumë rajone që i kontrollojnë, shkruan “Guardian”, talebanët veçse kanë zbatuar kufizime për arsimin e grave, për lirinë e tyre të lëvizjes dhe për veshjen, kanë theksuar aktivistët dhe banorët e zonave. Në një rajon janë shpërndarë fletushka që u kërkojnë grave të bartin burka.
Edhe gratë nga zonat e thella jashtëzakonisht konservatore synojnë arsimim më të mirë, liri më të mëdha të lëvizjes dhe rol më të madh në familjet e tyre, ka treguar një studim i ri i kryer me gratë e rajonit, zërat e të cilave rrallëherë dëgjohen. Regjimi taleban do t’i shpjerë ato në drejtim krejtësisht të kundërt.
“Asnjë grua nuk do që të luftojë, unë thjesht dua që ta vazhdoj shkollimin dhe të qëndroj sa më larg dhunës, porse kushtet dhe gratë e tjera më kanë detyruar që të ngrihem”, ka thënë një gazetare në të 20-at e hershme nga Jowzjani verior. Ky rajon është i njohur për gratë luftëtare, ka shkruar “Guardian”.
Tradita e grave luftëtare

Ajo ka marrë pjesë në trajnimin për zotërimin e armëve në kryeqytetin e krahinës që aktualisht është i rrethuar. Ka kërkuar që të mos i publikohet identiteti, nga frika prej talebanëve.
“Dua që vendi të jetë nën kontrollin e njerëzve që i trajtojnë gratë ashtu siç duhet. I kemi kapur armët për të treguar se nëse duam që të luftojmë do ta bëjmë”, ka thënë ajo për gazetën britanike. Gazetarja pretendon se disa nga gratë që kanë mësuar të përdornin armët bashkë me të, megjithëse janë pa përvojë, kanë një përparësi kundruall burrave po qe se ndeshen me talebanët.
“Ata kanë frikë se mund të vriten nga ana jonë e kjo do të konsiderohej si gjë e turpshme”, ka theksuar gazetarja.
Për militantët konservatorë, ballafaqimi me gratë në fushëbetejë mund të jetë turpërim. Luftëtarët e ISIS-it në Siri raportohej se i druheshin më shumë vdekjes në duart e grave të forcave kurde sesa të burrave, ka shkruar “Guardian”.
Është gjë e rrallë, por jo e papranueshme që gratë afgane të kapin armët, veçmas në pjesët më konservatore të vendit. Vitin e shkuar rioshja Qamar Gul u bë e njohur kudo në vend, pasi kushte luftuar kundër një grupi talebanësh që ia kishin vrarë prindërit. Mes militantëve ishte edhe vetë bashkëshorti i saj.
“Në krahinën Baghlan, një grua e quajtur Bibi Aisha Habibi u bë luftëtarja e vetme grua në vend gjatë kohës së okupimit sovjetik dhe luftës pasuese civile. Ajo njihej ndryshe si komandantja Kaftar apo Pëllumbi”, ka shkruar gazeta, duke i numëruar gratë e njohura luftëtare të Afganistanit. Ndërkaq në Balkhin e veriut, 39-vjeçarja Salima Mazari është përfshirë së fundi në luftimet në Charkint, ku është kryetare e qarkut.
Edhe
Gratë pa shami në krah të regjimit, nacionalizmi i ri që po ndërton Irani
Gratë u janë bashkuar gjithashtu forcave vendore të sigurisë gjatë dy dekadave të fundit, duke marrë pjesë edhe në trajnimet për drejtimin e helikopterëve. Këtë e kanë bërë megjithëse janë përballur me diskriminim dhe keqtrajtime nga kolegët.
Talebanët kanë minimizuar këta shembuj historikë të Afganistanit, duke pretenduar se demonstratat janë pjesë e propagandës dhe se burrat nuk do t’i lejonin të afërmet e tyre që të luftonin.
“Gratë kurrë nuk do t’i kapin armët kundër nesh. Ato janë të pafuqishme dhe të shtytura nga armiku i mposhtur”, ka thënë zëdhënësi i grupit, Zabihullah Mujahid. “Ato nuk mund të luftojnë”.
“Të frenuara nga burrat në pushtet”
Kryetari i Ghorit, Abdulzahir Faizzada, ka thënë në një intervistë telefonike për “Guardianin” se gratë që dalin nëpër rrugët e Firozkohut veçse kanë luftuar ndaj talebanëve dhe shumica janë përballur me dhunën e grupit.
“Shumica e këtyre grave janë ato që së fundmi kanë ikur nga rajonet talebane. Veçse kanë kaluar nëpër luftë në fshatrat e tyre, kanë humbur të bijtë dhe vëllezërit, janë të zemëruara”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se do t’i trajnonte ato që duhen të kenë përvojë me armët, po qe se Qeveria në Kabul e miraton një gjë të tillë.
Sunduesit konservatorë talebanë janë veçanërisht të padëshiruar në Ghor, ku gratë tradicionalisht bartin shami në vend se të mbulojnë gjithë trupin me burka, dhe punojnë nëpër ara përkrah burrave, ka thënë Parastish. Talebanët ua kanë ndaluar grave edhe që të kujdesen për kafshët apo të punojnë në ara. Kanë mbyllur aty shkollat për vajzat, kanë urdhëruar gratë që të mos largohen nga shtëpitë pa ndonjë shoqërues burrë dhe ua kanë ndaluar madje tubimin nëpër dasma, duke pretenduar se vetëm burrat duhet të jenë të pranishëm në to.
“Guardian” shkruan se gratë e kësaj pjese janë të shumta mes marshueseve.
“Me dhjetëra gra kanë ikur nga Allahyari në Shahrak javën e shkuar dhe kanë ardhur te ne për të kërkuar armë dhe për të luftuar për tokat dhe liritë e tyre. Situatë e njëjtë është edhe në rajonin Charsadda”, ka thënë Parastish për gazetën britanike.
“Gratë na kanë thënë prerazi: ‘Po vritemi dhe po lëndohemi pa arritur që të vetëmbrohemi, e pse të mos kundërpërgjigjemi?”.
Aktualisht, sipas saj, gjëja kryesore që i ka frenuar gratë ishin burrat në pushtet.
Edhe
Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës
“Kryebashkiaku ka thënë se nuk ka nevojë për ne tani dhe se do të na informojë”, ka theksuar ajo për “Guardian”.
Përgatiti: Nita Lleshi