Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gradët e rrezikut: Si do të duket bota nëse nuk përmbushen caqet klimatike?

Shumë plane janë hedhur në tavolinë për uljen e temperaturave globale, porse aktualisht po shkohet drejt rritjes së tyre për 2.7 gradë celsius. Dhe kjo do të ishte shumë më keq për planetin sesa synimi që ishte përcaktuar në Paris, për 1.5 gradë celsius

Koha po kalon. Shkalla e veprimit të nevojshëm për mbrojtjen e klimës është madhore, duhet që të ndodhë shpejt dhe planet e hedhura në tavolinë nuk janë të mjaftueshme.

Më 2015, pothuajse të gjitha vendet e botës janë pajtuar që ta kufizojnë rritjen e temperaturave deri në 2 gradë celsius, mbi nivelet paraindustriale, dhe të kenë për synim kufizimin prej 1.5 gradë celsius nën Marrëveshjen e Parisit. Deri më tani, sipas një analize të agjencisë gjermane Deutsche Welle, zotimet e bëra për uljen e përdorimit të karburanteve fosile dhe masat e tjera për reduktimin e emetimit të gazeve serrë në atmosferë mundësojnë që të arrihet vetëm deri në shkallën prej 2.7 gradësh celsius, ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në fund të këtij muaji udhëheqësit botërorë do të takohen në Glasgow të Skocisë për edicionin e 26-të të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike. Dhe presioni është që të veprohet me masa më radikale për ta arritur objektivin e Parisit.

Por çfarë ndryshimi bën një pjesëz e një grade?

“Epo, shumë. Kështu të paktën sipas trupit të madh të kërkimeve shkencore që po bëhen globalisht për t’i vlerësuar ndikimet e ndryshimit klimatik. Me fatkeqësitë e shkaktuara nga klima që tashmë ndodhin në të gjithë globin, shkalla e problemit mund të duket e pakontrollueshme”, ka shkruar DW-ja.

Edhe Ngrohja globale pritet të vështirësojë jetën e miliarda njerëzve Botë Ngrohja globale pritet të vështirësojë jetën e miliarda njerëzve

Ndërsa shkenca e paraqet një pasqyrë të zymtë, ajo tregon gjithashtu se kufizimi i ngrohjes me atë që duket si një sasi e vogël mund të shpëtojë miliona jetë, të mbrojë zona të gjera toke nga degradimi dhe t’u japë llojeve të tjera një mundësi për mbijetesë.

Sipas raportit të fundit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), të publikuar në gusht, temperatura globale tashmë është rritur për 1.07 gradë celsius që nga revolucioni industrial. Dhe tashmë mund të shohim se vetëm 1 shkallë e ngrohjes ka pasur ndikim masiv.

Çdo centimetër shtesë në nivelin e detit, miliona jetë në rrezik

“Le ta trajtojmë ngritjen e nivelit të detit. Deri më tani niveli i detit në glob është rritur për 20 centimetra që nga viti 1901, sipas IPCC-së. Mund të mos duket shumë, por tashmë po i detyron njerëzit nga e gjithë bota që t’i lënë shtëpitë e tyre”, kanë vlerësuar shkencëtarët, raporton Deutsche Welle.

Sipas Qendrës së Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme, qindra mijëra njerëz po zhvendosen çdo vit shkaku i përmbytjeve në zonat e ulëta të Bangladeshit. Sipas uebfaqes klimatike që bazohet në të dhëna “Carbon Brief”, e cila analizoi 70 studime shkencore të rishikuara nga kolegët më 2018, me 1.5 gradë ngrohje po shkohet drejt një rritjeje globale të nivelit të detit prej 48 centimetrash deri në fund të këtij shekulli, krahasuar me 56 centimetra nëse arrihet kufizimi prej 2 gradësh. Por vetëm 8 centimetra më shumë do të thotë se do të ketë ndryshime për miliona njerëz. Sipas IPCC-së, çdo 10 centimetra rritje në nivelin e detit prek deri në 10 milionë jetë njerëzish në të gjithë botën.

Pak ngrohje do të thotë shumë shi

Sipas raportit të fundit të IPCC-së, lloji i “ngjarjeve ekstreme të reshjeve” që para revolucionit industrial do të ndodhte një herë në 10 vjet, tani po ndodh rreth 30 për qind më shpesh.

Edhe Rritet temperatura e Tokës, shtohet rreziku i ngrohjes globale Botë Rritet temperatura e Tokës, shtohet rreziku i ngrohjes globale

Me 1.5 gradë ngrohje, rreziku rritet deri në 50 për qind dhe ashpërsia e motit rritet gjithashtu, duke u bërë 10.5 për qind më i lagësht. Me 2 gradë, një ngjarje e tillë bëhet 70 për qind më e mundshme dhe 14 për qind më e lagësht.

Për një vend si India, kjo do të thotë se do ta kenë një të ardhme shumë ndryshe.

Sipas kompanisë së sigurimeve “Munich Re”, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar mbi 700 vdekje dhe 11 miliardë dollarë (9.5 miliardë euro) dëme gjatë vitit 2018 dhe 2019. Sipas “Carbon Brief”, me 1.5 gradë ngrohje dëmi ekonomik nga përmbytjet në vend do të rritej më shumë se tri herë e gjysmë dhe me 2 gradë gati pesë herë e gjysmë.

Përderisa disa rajone të planetit do të bëhen më të lagështa, të tjerat do të thahen, në atë që sipas DW-së përkthehet në rezultate katastrofike.

Më 2018, IPCC-ja kishte bërë të ditur se kufizimi i ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius krahasuar me 2 gradë mund të nënkuptojë se shumë njerëz do të kenë mungesë uji. Në raportin e fundit, IPCC-ja ka specifikuar se thatësirat kanë ndodhur një herë në 10 vjet para Revolucionit Industrial, tani ka 70 për qind më shumë gjasa që të ndodhin. Me 1.5 gradë celsius janë bërë shumë më të shpeshta, kurse me 2 gradë do të ndodhnin 2.4 herë më shpesh.

Sipas “Carbon Brief”, në tërë globin thatësira mund të zgjasë deri në dy muaj me 1.5 gradë të ngrohjes, katër muaj me 2 gradë, kurse 10 muaj thatësirë do të jetë nëse shtohen 3 gradë celsius.

Më 2019, Programi Botëror për Ushqim kishte bërë të ditur se 2.2 milionë njerëz në “korridorin e thatë” të Amerikës Qendrore kishin pësuar humbje të të mbjellave shkaku i thatësirës dhe pesë vjet të vazhdueshëm të motit të çrregullt. Në shkurt të këtij viti, kjo shifër kishte shkuar afër 8 milionë, pjesërisht si rezultat i një ndikimi ekonomik të pandemisë, që përbënte “vite të ngjarjeve ekstreme klimatike”, por gjithashtu si rezultat i uraganeve Eta dhe Iota, që goditën Amerikën Qendrore në nëntor të vitit 2020, raporton DW-ja.

Edhe Bota në prag të ngrohjes katastrofale Botë Bota në prag të ngrohjes katastrofale

Se sa shumë do të përkeqësohet situata në rajon varet nga veprimet klimatike që ndërmarrim. Sipas “Carbon Brief”, me 1.5 gradë celsius ngrohje, gjatësia mesatare e thatësirave në Amerikën Qendrore do të rritej deri në pesë muaj, kurse me 2 gradë deri në tetë muaj, e me 3 gradë do të shkojë në 19 muaj.

Përgatiti: Liridona Bytyçi