Një raketë ka goditur një platformë uljeje helikopterësh brenda kompleksit të Ambasadës Amerikane në Bagdad, thanë dy zyrtarë irakianë të sigurisë për Associated Press.
Ambasada Amerikane në Bagdad nuk ka komentuar ende mbi raportet. Të premten, ambasada e ndryshoi alarmin e sigurisë në Nivelin 4 për Irakun, duke paralajmëruar se Irani dhe grupet militante të lidhura me Iranin kanë kryer më parë sulme kundër qytetarëve, interesave dhe infrastrukturës amerikane, dhe "mund të vazhdojnë t'i shënjestrojnë ata".
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy kompleks i ambasadës, një prej objekteve amerikane më të mëdha në botë, vazhdimisht është shënjestruar nga raketat dhe dronët nga grupet militante të lidhura me Iranin.
Në fillim të muajit, Departamenti i Shtetit pati urdhëruar personelit jo-emergjent dhe familjarët e tyre të largoheshin nga shtetet e Lindjes së Mesme, përfshirë Iranin, për shkak të rreziqeve për sigurinë.
Trumpi thotë se SHBA-ja do ta hapë Ngushticën e Hormuzit me patjetër
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se "në një mënyrë ose në një tjetër, së shpejti do ta hapim Ngushticën e Hormuzit".
Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai ka shkruar se shpreson që Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar do të dërgojnë anije luftarake në kanalin kryesor të transportit detar, në mënyrë që ai "të mos jetë më kërcënim" nga Irani.
Ai shtoi se shumë vende do të dërgojnë anije luftarake për ta mbajtur kanalin kryesor të transportit detar "të hapur dhe të sigurt".
Ai ka theksuar se SHBA-ja do të "bombardojë deri në bregdet dhe do të qëllojë vazhdimisht anije iraniane".
Trumpi pretendoi se SHBA-ja ka "shkatërruar 100% të aftësisë ushtarake të Iranit", por tha se është ende "e lehtë" për ta të përdorin dronë, mina dhe raketa.
Përfaqësuesi i Iranit në Gjenevë, Ali Bahrani, tha se pretendimet e Trumpit për eliminimin e aftësive të Teheranit janë "të bazuara në gënjeshtra të fabrikuara".
Hamasi i bën thirrje Iranit të mos i shënjestrojë vendet fqinje
Grupi militant palestinez Hamas, i lidhur me Iranin, i ka bërë thirrje këtij të fundit që të mos i shënjestrojë vendet fqinje.
Kjo është hera e parë që grupi ka komentuar publikisht mbi politikat iraniane. Ai ka shprehur solidaritet me Iranin gjatë luftës, por deri më tani duket se është shmangur nga kërcënimet për ndonjë veprim hakmarrës, shkruan Reuters.
"Ndërsa grupi pohon të drejtën e Iranit për t'iu përgjigjur këtij agresioni me të gjitha mjetet e disponueshme në përputhje me normat dhe ligjet ndërkombëtare, ai u bën thirrje vëllezërve tanë në Iran të mos i shenjtërojnë vendet fqinje", tha ai.
Gjithashtu u bëri thirrje të gjitha vendeve në rajon dhe organizatave ndërkombëtare që të ndalojnë menjëherë luftën.
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim në Gazë që hyri në fuqi në tetor, por që atëherë ka pasur shpërthime të rregullta dhune. Ndërsa sulmet izraelite ndaj Gazës ranë në fillim të luftës me Iranin, ato tani kanë filluar të rriten.
Ndërkohë, Hezbollahu libanez, i lidhur me Iranin, hapi zjarr ndaj Izraelit më 2 mars për t'u hakmarrë për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit në fillim të luftës. Që atëherë, Izraeli ka sulmuar Libanin dhe ka shënjestruar grupin.
Houthitë e Jemenit, të lidhur me Iranin, të cilët nisën një fushatë ushtarake kundër anijeve që ata i perceptonin si të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq gjatë luftës në Gazë, kanë shprehur gjithashtu solidaritet të fortë me Teheranin. Ata ende nuk kanë kërcënuar të rifillojnë sulmet.
Shpërthim zjarri në portin e Emirateve
Një zjarr shpërtheu të shtunën në portin Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi u shënjestrua nga një dron, thanë autoritetet.
Nuk u raportuan viktima nga sulmi, njoftuan zyrtarët në Fujairah, duke shtuar se zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin zjarrin, raportoi AP.
Pamjet treguan re tymi të zi që shiheshin nga larg dhe ngriheshin mbi zonën pranë portit.
Nëntë raketa balistike dhe 33 dronë u lëshuan të shtunën drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së vendit.
Autoritet në Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se numri i përgjithshëm i predhave të lëshuara në vend që nga 28 shkurti përfshinte 1,600 dronë, 294 raketa balistike dhe 15 raketa lundrimi. Nga sulmet janë vrarë gjashtë persona dhe janë plagosur 141 të tjerë.
Franca e gatshme për ndërmjetësim mes Libanit dhe Izraelit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se kishte folur me presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit të Libanit se duhet bërë gjithçka për të parandaluar që vendi të zhytet në kaos.
Në një shkrim në X, Macron shtoi se Hezbollahu duhet të ndalojë menjëherë "përshkallëzimin e tij të pamatur", ndërsa Izraeli duhet të braktisë çdo ofensivë në shkallë të gjerë dhe të ndalojë sulmet e tij masive ajrore.
Macron tha se udhëheqësit libanezë kanë thënë se janë të gatshëm të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin.
Udhëheqësi francez tha se Izraeli duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të nisur bisedime për të arritur një armëpushim, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe për t'u lejuar autoriteteve libaneze të përmbushin angazhimet e tyre në mbështetje të sovranitetit të Libanit.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, tha të premten se shprehu gatishmëri për të negociuar me Izraelin, por se nuk mori përgjigje. Libani dhe Izraeli mbeten në gjendje lufte që nga viti 1948.
Irani kërcënon të sulmojë objektet e naftës nëpër rajon të lidhura me SHBA-në
Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit përsëriti kërcënimin e saj për të sulmuar objektet e naftës dhe energjisë të lidhura me SHBA-në në rajon nëse goditet infrastruktura e naftës e Republikës Islamike.
Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, bëri kërcënimin të shtunën herët, sipas televizionit shtetëror të Iranit. Ai paralajmëroi se Irani do të shënjestrojë "të gjitha infrastrukturat e naftës, ekonomike dhe energjetike që u përkasin kompanive të naftës në të gjithë rajonin që kanë aksione amerikane ose bashkëpunojnë me Amerikën" nëse sulmohet infrastruktura e energjisë dhe ekonomike në Iran.
Agjencia e lajmeve Fars e Iranit raportoi të paktën 15 shpërthime me tym të dendur që ngrihej mbi ishullin Kharg, i goditur më parë nga sulmet amerikane.
Ajo raportoi se sulmet kishin në shënjestër një strukturë të mbrojtjes ajrore, një bazë detare, kullën e kontrollit të aeroportit dhe një platformë uljeje helikopterësh të një kompanie nafte në det të hapur, duke shtuar se asnjë infrastrukturë nafte nuk u dëmtua në sulm.
SHBA-ja sulmoi “zemrën” e eksporteve të naftës, pse ishulli Kharg është kaq i rëndësishëm për Iranin?
Ishulli Kharg në Iran është një qendër kyçe energjetike, përmes së cilës kalojnë rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së Iranit. Pas më shumë se dy javësh nga nisja e konfliktit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kishin goditur ishullin. Situata ndryshoi të premten.
Forcat amerikane në një sulm të kryer dje shkatërruan objektiva ushtarake në ishullin Hark. Kjo mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën në tregun e naftës, i cili ka qenë në rritje të pandërprerë që nga fillimi i konfliktit.
Për arsyen që kalojnë rreth 90 për qind e eksporteve të naftës iraniane, ishulli ka qenë gjithmonë i konsideruar si një nga objektivat më të ndjeshme të Iranit dhe një shkëndijë e mundshme për një reagim të ashpër nga Teherani në rast sulmi.
E në një reagim, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kanë “shkatërruar plotësisht çdo objektiv ushtarak” në ishullin Kharg dhe kërcënoi se infrastruktura e naftës mund të jetë gjithashtu një target nëse Irani vazhdon të pengojë trafikun detar në ngushticën e Hormuzit, megjithëse për momentin nuk ishte një objektiv.
Para fillimit të luftës të nisur nga Izraeli dhe SHBA më 28 shkurt, Irani kishte rritur prodhimin e naftës dhe vazhdonte eksportin me një ritëm prej rreth 1.1 deri në 1.5 milion fuçi në ditë.
Terminalet e naftës në ishull mund të pranojnë deri në 30 milion fuçi naftë. Nafta arrin në ishullin Kharg përmes tubacioneve që e lidhin me pjesën tjetër të Iranit.
Drejtori i investimeve të “Pickering Energy Partners”, Dan Pickering, paralajmëroi për pasojat e mundshme të një ndikimi më të fortë mbi infrastrukturën e naftës në ishull, duke thënë se shkatërrimi i objekteve kyçe në Kharg mund të heqë rreth dy milion fuçi naftë në ditë nga tregu.
Forcat e armatosura të Iranit kanë paralajmëruar se çdo sulm ndaj infrastrukturës energjetike dhe të naftës së vendit do të sjellë sulme ndaj objekteve energjetike të kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-në në rajon.
Irani është prodhuesi i tretë më i madh brenda OPEC, me rreth 4.5 për qind të furnizimit global të naftës. Prodhimi i vendit është afërsisht 3.3 milion fuçi naftë të papërpunuar në ditë.