Gjermania do të dërgojë tanke luftarake në Ukrainë vetëm nëse SHBA-ja e bën të njëjtën gjë, thonë raportet e shumta.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz është nën presionin ndërkombëtar dhe të brendshëm për të furnizuar Ukrainën me tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman, ose të paktën të miratojë dorëzimin e tyre nga vendet e treta, raportoi BBC-ja të enjten.
Polonia dhe Finlanda kanë premtuar se do të dërgojnë Leopardët e tyre - por kanë nevojë për lejen e Gjermanisë për ta bërë këtë.
Por Berlini është ende në bisedime me SHBA-në për qëndrimin e tij zyrtar.
Raportet thonë se Scholzi do t'u japë dritën jeshile Leopardëve vetëm nëse presidenti i SHBA-së, Joe Biden pranon të furnizojë me tanke amerikane Abrams.
Megjithatë, këshilltari i lartë i Pentagonit për sigurinë, Colin Kahl, ka deklaruar të enjten se SHBA-ja nuk ishte e përgatitur për të përmbushur kërkesat e Kievit për tanket.
Edhe
Gjermania konfirmon zyrtarisht dërgimin e tankeve në Ukrainë
"Tanku Abrams është një pajisje shumë e komplikuar. Është e shtrenjtë. Është e vështirë të stërvitesh. Ka një motor reaktiv”, ka thënë Kahl.
Sigurimi i tankeve të betejës perëndimore në numër të mjaftueshëm, shihet si vendimtar nëse Ukraina dëshiron ta mposhtë Rusinë ose, së paku, të mbrohet kundër ofensivës së pritur pranverore të presidentit rus, Vladimir Putin.
Megjithatë, deri tani, vetëm Britania ka premtuar ta furnizojë Ukrainën me to. Vendet e tjera, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në, kanë dërguar ose janë zotuar të dërgojnë automjete të blinduara, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera të rënda. Ndërkohë, kërkesat e Kievit për tanke po bëhen gjithnjë e më urgjente.