Botë

Gjermania nën presion për t’i dhuruar tanke Ukrainës

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar, të paktën deri më tani, të ofrojnë tanke M1 Abrams, duke përmendur mirëmbajtjen e gjerë dhe komplekse dhe sfidat logjistike me tankun e teknologjisë së lartë. Shtetet e Bashkuara besojnë se do të ishte më produktive të dërgoheshin taket “Leopardë” pasi shumë aleatë i kanë dhe trupat ukrainase do të kishin nevojë për më pak trajnim sesa për tankun amerikan Abrams që është më i vështirë për t’u përdorur.

Gjermania është shprehur e gatshme të veprojë me shpejtësi nëse aleatët pajtohen për dërgimin e tankeve në Ukrainë, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorious. Deklarata e Gjermanisë të premten u bë pas presionit të madh që i është bërë për të dërguar tanke të cilat i ka kërkuar Ukraina në javën e fundit.

“Sa i përket dërgimit të tankeve ‘Leopard’, nuk ka mendim unanim”, ka thënë Pistorious gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes në bazën e njohur Ramstein në Gjermani.

Ai ka mohuar raportimet se Gjermania është duke bllokuar koalicionin e shteteve që janë bërë bashkë në favor të ndihmës me tanke për Ukrainën.

“Ka arsye të mira për t’i ofruar dhe arsye të mira për të mos i ofruar tanket. Dhe duke pasur parasysh situatën e luftës që ka vazhduar për më shumë se një vit, të gjitha pajtimet dhe mospajtimet duhet të peshohen me kujdes dhe vlerësimi duhet të jetë nga të gjithë aleatët”, ka thënë ministri gjerman.

Pistorious ka thënë se ka kërkuar nga zyrtarët që të kryejnë një auditim të stokut të Gjermanisë për tanket “Leopard 2” me qëllim që shteti të veprojë me shpejtësi në rast të ndonjë vendimi pozitiv.

Ministri ka shtuar se çështja e autorizimit të eksportit nuk është diskutuar në takimet e së premtes.

Polonia ka pritur që të nisë tanket e prodhimit gjerman drejt Ukrainës. Të enjten kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë se nëse Polonia nuk merr dritën e gjelbër nga Gjermania, “do të vazhdojë me të veten”.

Në takimin e së premtes liderët e mbrojtjes kanë dështuar për t’u dhënë fund ndasive rreth temës se kush duhet t’i sigurojë tanke Ukrainës.

Ani pse ministri ka thënë se ka shenja të mira, Gjermania i ka rezistuar presionit të madh që me shpejtësi të furnizojë Ukrainën me tanket “Leopard 2”, ose së paku t’u lejojë shteteve të tjera, siç është Polonia, që të furnizojnë Ukrainën me tanket gjermane që i kanë në stoqet e tyre.

Lutja e Zelenskyyt

Liderët e mbrojtjes nisën të premten me fjalimin lutës për më shumë ndihmë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Me video-lidhje Zelenskyy ka thënë se “terrori nuk lejon diskutime. Se lufta e nisur nga Rusia nuk lejon vonesa”.

Në fillim të konferencës sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka tërhequr vërejtën se “ky është moment vendimtar. Rusia është duke u rigrupuar, rekrutuar dhe po furnizohet”.

Austin ka thënë se prezenca e liderëve në Gjermani ka sinjalizuar unitetin dhe angazhimin në përkrahje të Ukrainës. “Duhet të vazhdojmë momentumin tonë. Duhet të gropojmë edhe më shumë”, ka thënë Austin para 50 liderëve të mbrojtjes.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se tanket e Perëndimit do të nxisin pasoja shumë negative.

“Të gjitha ato tanke duhet mirëmbajtur dhe riparuar dhe do t’i shtojnë edhe më shumë probleme Ukrainës, por kjo nuk do të ndryshojë sa u përket qëllimeve ruse”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Austin dhe gjenerali i ushtrisë amerikane Mark Milley, pritej të diskutonin pakon më të re të ndihmave amerikane që kap vlerën e 2.5 miliardë dollarëve dhe në të janë përfshirë automjetet e blinduara Stryker.

Problemet me mirëmbajtjen

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar, të paktën deri më tani, të ofrojnë tanke “M1 Abrams”, duke përmendur mirëmbajtjen e gjerë dhe komplekse dhe sfidat logjistike me tankun e teknologjisë së lartë. Shtetet e Bashkuara besojnë se do të ishte më produktive të dërgoheshin taket “Leopardë” pasi shumë aleatë i kanë dhe trupat ukrainase do të kishin nevojë për më pak trajnim sesa për tankun amerikan “Abrams” që është më i vështirë për t’u përdorur.

Në një konferencë të Pentagonit të enjten, zëdhënësja Sabrina Singh ka thënë se vështirësia dhe kostoja e lartë e mirëmbajtjes së Abrams do ta bënte atë opsion më pak të zbatueshëm sesa Leopardi ose Challangeri britanik.

Pakoja më e fundit e ndihmës amerikane përfshin tetë sisteme të mbrojtjes ajrore Avenger, 350 humvee, 53 automjete të blinduara ndaj minave (MRAP), më shumë se 100 mijë fishekë artilerie dhe raketa, dhe raketa për sistemin e raketave të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë. Kjo u konfirmua të enjten nga Pentagoni.

Ndihma të tjera të konfirmuara para takimit të Ramstein përfshinin armë kundërajrore S-60 nga Polonia me 70,000 fishekë, sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Stinger dhe dy helikopterë M-17 nga Letonia, dhe dy helikopterë Mi-8 të prodhimit rus dhe dhjetëra armë kundërajrore L-70 me municion nga Lituania.

Pothuajse 11 muaj pas pushtimit rus, Zelenskyy ka shprehur zhgënjimin për mossigurimin e mjaftueshëm të armatimit nga aleatët perëndimorë. Duke folur me video-lidhje në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ai u ankua për “mungesën e armatimit specifik”.

“Janë kohëra në të cilat nuk duhet të hezitojmë ose nuk duhet të krahasohemi kur dikush thotë: ‘Do t’ju jap tanke nëse edhe dikush tjetër ua ofron tanket’”, ka thënë Zelenskyy.

Zyrtarët gjermanë kanë përcjellë hezitimin e tyre për të lejuar aleatët t'i japin “Leopardët”, përveç nëse SHBA ia dërgon Ukrainës tanket “Abrams”, sipas zyrtarit amerikan i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte dhe foli në kushte anonimiteti. Por, nuk ka pasur asnjë shenjë se SHBA-ja po ndryshon vendimin e saj për të mos dërguar “Abrams”.

Pistorius, i cili mori detyrën të enjten vetëm një orë përpara se të takohej me Austin, ka thënë se mendimet midis aleatëve ishin të përziera për çështjen e tankeve dhe shtoi se “përshtypja që është krijuar herë pas here se ka një koalicion të bashkuar dhe Gjermania po qëndron në rrugë është gabim”.

Gjenerali Milley ka thënë se trajnimi i ri amerikan i trupave ukrainase, i kombinuar me një sërë armësh të reja dhe automjete të blinduara që shkojnë në Ukrainë, do të jetë çelësi për të ndihmuar forcat e vendit të rimarrin territorin që është pushtuar nga Rusia në pothuajse 11 muajt e luftës.

Sipas tij, qëllimi është që të dërgohen armët dhe pajisjet e nevojshme në Ukrainë, në mënyrë që forcat e sapotrajnuara të jenë në gjendje t'i përdorin ato “diku përpara se të nisnin shirat e pranverës. Kjo do të ishte ideale”.

Fluksi i armëve të reja, tankeve dhe transportuesve të blinduar vjen ndërsa Ukraina përballet me luftime intensive në lindje të vendit rreth qytetit Bakhmut dhe qytetit aty pranë minierave të kripës Soledar. Betejat pritet të intensifikohen në pranverë.

Përktheu: Gent Mehmeti