Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania ndalon blerjet e tankeve “Puma” pas problemeve operacionale

Gjermania nuk do të blejë më tanke këmbësorie Puma derisa të dëshmojnë se janë të besueshme, tha të hënën ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht pasi disa nga automjetet u vunë jashtë përdorimit gjatë një stërvitjeje të fundit ushtarake.

“Dështimet e fundit të mjetit luftarak të këmbësorisë Puma janë një pengesë e madhe”, tha Lambrecht në një deklaratë, duke shtuar se ajo kishte kërkuar një raport mbi këtë çështje deri në fund të javës së ardhshme, shkruan Reuters të hënën.

Aksionet e Rheinmetall e cila prodhon tanket së bashku me Krauss-Maffei Wegmann ranë 7 për qind pas njoftimit të ministrit.

“Trupat tona duhet të jenë në gjendje të mbështeten në sistemet e armëve që janë të fuqishme dhe të qëndrueshme edhe në luftime,”, tha Lambrecht, ndërsa siguroi aleatët e NATO-s se ata mund të vazhdojnë të mbështeten te Berlini për të përmbushur detyrimet e tij të gatishmërisë si pjesë e një task force të përbashkët (VJTF). nga viti 2023.

Një deklaratë nga ministria gjermane e mbrojtjes tha se qëllimi ishte që tanket Puma të funksiononin sa më shpejt që të ishte e mundur. Ndërkohë, ushtria gjermane e Bundeswehr-it do të përdorte tanket Marder, modeli paraardhës i Puma-s, nga 1 janari, në atë që një zëdhënës i ministrisë e quajti një “zgjidhje kthimi”.

As Rheinmetall dhe as KMW nuk i kanë komentuar çështjet me modelin Puma.

Revista Spiegel raportoi gjatë fundjavës se 18 tanke Puma të destinuara për task-forcën e përbashkët të gatishmërisë shumë të lartë të NATO-s vitin e ardhshëm nuk ishin funksionale pasi u shfaqën probleme gjatë një stërvitje zjarri.

Artikuj të ngjashëm