Gjermania do t’i vazhdojë masat kufizuese deri më 10 janar, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel të mërkurën, pas takimit me liderët e landeve të Gjermanisë, raporton Reuters.
Masat, që ishte paraparë të kalonin më 20 dhjetor, përfshijnë mbylljen e restoranteve dhe hoteleve, dhe kufizimi i mbledhjes së pesë anëtarëve nga maksimum dy familje.
“Shtetet do të zgjasin masat nga 20 dhjetori deri më 10 janar”, ka thënë Merkel në konferencë për media, ndërsa ka shtuar se një raund tjetër i konsultimeve do të mbahet më 4 janar. “Në parim gjërat do të mbesin siç janë”.
Derisa numri i të infektuarve të rinj ka rënë, Gjermania të mërkurën ka raportuar shifrën më të lartë të vdekurve nga COVID-19 në 24 orë që nga fillimi i pandemisë. Janë raportuar 487 të vdekur në 24 orë të fundit, ndërsa mbi 17 mijë raste të reja të infeksionit.