Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në luftë ndaj valës së tretë, Gjermania zgjeron masën e izolimit

“E dimë se masat aktuale të emergjencës nuk do të mjaftojnë për ta ndalur ngritjen eksponenciale të rasteve.... Andaj 1 dhe 3 prilli do të shpallen ditë pushimi këtë vit.... Derisa për pesë ditë, nga 1 deri më 5 prill, parimi është: qëndrojmë në shtëpi”, ka shtuar Merkeli, pas bisedimeve maratonike me liderët shtetërorë në Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shpallur të martën izolimin e ashpër pesëditor gjatë Pashkëve, teksa vendi lufton kundër rritjes drastike të rasteve të infektimit me koronavirus, në kuadër të valës së tretë të përhapjes.

Pothuajse të gjitha dyqanet në vend do të jenë të mbyllura gjatë periudhës së Pashkëve, prej 1 deri më 5 prill, teksa nuk do të lejohet tubimi i më shumë se pesë personave të moshave mbi 14-vjeçare dhe të një familjeje. Dyqanet ushqimore do të jenë të hapura vetëm për një ditë, gjatë të shtunës së 3 prillit.

Masat shtetërore të izolimit të përgjithshëm do të zgjaten gjithashtu deri më 18 prill, ka njoftuar të martën kancelarja Angela Merkel. Gjermanët kanë qenë nën masa të ndryshme kufizimi qysh nga mesi i dhjetorit të shkuar. Autoriteti i shëndetit publik ka raportuar të martën për 7.485 raste të reja të infektimit dhe për 250 vdekje brenda 24 orësh. Bilanci i përgjithshëm ditor i rasteve është për 2.00 më i lartë sesa që ishte javën e shkuar. Më shumë se 108 persona në çdo 100.000 banorë tani infektohen për çdo javë.

“E dimë se masat aktuale të emergjencës nuk do të mjaftojnë për ta ndalur ngritjen eksponenciale të rasteve”, ka thënë Merkeli, pas bisedimeve maratonike me liderët shtetërorë në Berlin. “Andaj 1 dhe 3 prilli do të shpallen ditë pushimi këtë vit, me gjithë zgjerimin e kufizimeve për kontakte dhe ndalesën e tubimeve nga 1 deri më 5 prill. Kjo do të thotë mbyllje e zgjeruar për Pashkë. Për pesë ditët e njëpasnjëshme parimi është: qëndrojmë në shtëpi”, ka shtuar Merkeli.

Gjermania ka shënuar më shumë se 74.000 vdekje nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, ndërsa Merkel ka thënë se vendi është duke kaluar nëpër valën e tretë të infeksioneve. Ajo ka shtuar se varianti më i ri i virusit, i identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, po ia vështirëson vendit vënien nën kontroll të përhapjes së rasteve. Ngritja e shifrave ka vazhduar megjithëse programi i vaksinimit në Gjermani, sikurse në shumë vende të Bashkimit Evropian, është përballur me mungesa në furnizime.

Ndërkaq Britania e Madhe dhe BE-ja janë përfshirë në përplasje të reja lidhur me dozat e kurës së “AstraZenecas”, me ç’rast shefja e bllokut, Ursula von der Leyen, është kërcënuar me bllokimin e dërgesës në Britani të një grumbulli dozash të prodhuara në një fabrikë në Holandë. Merkel me këtë rast ka mbështetur qëndrimin e Von der Leyenit. \ AP

Artikuj të ngjashëm