Trupi i pajetë i mbesës së Robert Kenedyt, Maeve Kennedy Townsend McKean, është gjetur në ujë në Maryland të hënën, katër kilometra larg shtëpisë, raportoi CNN të martën.
Ajo dhe i biri i saj 8-vjeçar Gideon, u zhdukën të enjten pasdite në gjirin Chesapeake, ndërkohë më pas u gjet vetëm kanuja e tyre, transmeton KOHA.
Sipas raportit të policisë në Maryland, trupi i saj u gjet në thellësi prej shtatë metrash.
41-vjeçarja u gjet pas 26 orësh kërkimi, ndërkohë policia shtoi se ekipet do të vazhdojnë të kërkojnë trupin e djalit të saj, Gideon.
"Ata u futën me një kanu në ujë duke synuar thjesht të merrnin topin dhe disi u zhytën nga era ose batica në gjirin e hapur", shkroi burri i saj David McKean javën e shkuar në Facebook.
McKean ishte mbesa e ish-Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së dhe senatorit amerikan Robert Francis Kennedy. Ishte avokate e shëndetit publik dhe të drejtave të njeriut. Po ashtu ishte e angazhuar si këshilltare në administratën e presidentit Barack Obama.
Gjyshi i saj, Robert, ishte vëllai i ish-presidentit amerikan, John Kennedy.