Botë

Gjendet gjallë 4-vjeçarja në Australi, që ishte zhdukur 18 ditë më parë

Një vajzë 4-vjeçare në Australi që ishte zhdukur 18 ditë më parë në perëndim të Australisë, është gjetur gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore, në një shtëpi, ka njoftuar Policia, raporton BBC.

Cleo Smith u zhduk nga tenda e familjes së saj në një vend kampingu në qytetin Carnarvon më 16 tetor. Kishte nisur një operacion masiv kërkimi.

Policia ka depërtuar në një shtëpi të mbyllur në Carnarvon rreth orës 1 të mëngjesit me kohë lokale të mërkurën, duke e gjetur atë atje.

Një burrë nga Carnarvoni është arrestuar dhe po merret në pyetje nga detektivët.

“Ekipi i policëve ka depërtuar në një shtëpi të mbyllur. Ka gjetur Cleon e vogël në një nga dhomat”, ka thënë Zv/komisioneri i Ausrtralisë Perëndimore, Col Blanch. “Një nga policët e ka kapur atë në dorë dhe e ka pyetur se si quhesh? Ajo është përgjigjur: ‘Emri im është Cleo’”.

Policia kishte ofruar shpërblesë prej 750 mijë dollarëve për personat që tregojnë vendndodhjen e 4-vjeçares. Nga Policia nuk janë dhënë detaje të mëtutjeshme për personin e arrestuar.