Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Fushatë me jelekë anti-plumb në Ekuador

Kandidatët për postin e presidentit në Ekuador kanë mbajtur tubimet e fundit zgjedhore para votimeve që do të mbahen të dielën. Luisa Gonzales dhe Daniel Noboa janë takuar me përkrahësit e tyre, por të dy kandidatët kanë mbajtur jelekë anti-plumb që prej vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavincencio para raundit të parë të zgjedhjeve.

Më shumë se 13 milionë ekuadorianë kanë të drejtë vote dhe do të zgjedhin mes pasanikut Noboa dhe majtistes Gonzalez. Njëri nga ta do të pasojë Guillermo Lasson në postin e presidentit deri në muajin maj të vitit 2025 kur përfundon mandati i tij.

Zgjedhjet e parakohshme janë mbajtur pas vendimit për të shpërndarë Asamblenë dhe shkurtimin e mandatit të presidentit.

Fushata presidenciale e Ekuadorit ka marrë vëmendje nga vrasja e kandidatit Villavincencio. Shteti latin është tronditur nga vrasja e tij teksa po përballet me dhunën nga bandat kriminale që besohet se kontrollojnë qytetet ekuadoriane.