Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Furnizimi me gaz i Gjermanisë ende i sigurt

Furnizimi me gaz i Gjermanisë aktualisht është ende i sigurt, ka thënë ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, pas raportimeve se Ukraina ka pezulluar rrjedhën e gazit natyror rus përmes një prej pikave të tranzitit gjë e cila shkaktoi shqetësimet për vendet që varen nga gazi rus, shkruan BBc.

Gjermania është konsumatori më i madh i gazit natyror në Evropë dhe furnizohet me gaz nga disa vende evropiane.

Operatori ukrainas i gazit GTSOU ka thënë të martën se do të pezullonte furnizimin përmes pikës së tranzitit Sokhranivka, që dërgon pothuajse një të tretën e karburantit të transportuar nga Rusia në Evropë përmes Ukrainës.

Kompania thotë se do të devijojë dërgesat për Evropën në një rrugë tjetër.

Por furnizuesi shtetëror rus i gazit Gazprom thotë se është "teknologjikisht e pamundur" të zhvendosen të gjitha vëllimet në rrugën e re.

Të dhënat e siguruara nga Gazprom sugjerojnë se gazi përmes rrugës Sokhranivka ra në zero të mërkurën. Kjo tregon që tani po përdoret vetëm Sudzha - dhe Gazprom thotë se flukset e gazit rus në Evropë ranë me një të katërtën për shkak të ndryshimit.

Por shoqata e industrisë së gazit të Gjermanisë thotë se do të jetë në gjendje të vlerësojë ndikimin e mbylljes së pikës së tranzitit vetëm pasi të ketë parë se si kjo lëvizje ndikon në flukset e furnizimeve.

Artikuj të ngjashëm