Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Frika e armenëve për dëbim nga Jerusalemi

Në qytetin e vjetër të kontestuar të Jerusalemit, banorët armenë në tkurrje kanë frikë nga dëbimi pas marrëveshjes që 25 për qind e lagjes armene t’i jepet me qira për 100 vjet një investitori australiano-izraelit për ndërtimin e një hoteli. Patriarku armen, Nourhan Manougian, pretendoi se një prift tashmë i larguar nga detyra mbante përgjegjësinë e plotë për marrëveshjen "mashtruese" që patriarku tha se ndodhi pa dijeninë e tij të plotë

(AP) - Një marrëveshje e pasurive të paluajtshme në qytetin e vjetër të Jerusalemit, në epiqendrën e konfliktit izraelito-palestinez, ka futur komunitetin historik armen atje në një panik, ndërsa banorët kërkojnë përgjigje për humbjen e frikshme të shtëpive të tyre për një investitor misterioz.

Qiraja 99-vjeçare e rreth 25% të lagjes armene të qytetit të vjetër ka prekur nerva të ndjeshëm në Tokën e Shenjtë dhe ka ndezur një polemikë që shtrihet shumë përtej mureve të Qytetit të Vjetër. Pasojat kanë detyruar autoritetin më të lartë të kishës ortodokse armene të strehohet në një manastir dhe ka bërë që një prift i turpëruar, i cili dyshohet se qëndron pas marrëveshjes, të arratiset në periferi të Los Angelesit.

“Nëse e shesin këtë vend, ma shesin zemrën time”, tha Garo Nalbandian, fotoreporter 80-vjeçar, për kazermat e epokës osmane, ku ai ka jetuar për pesë dekada mes një komuniteti armenësh që është duke u tkurrur. Paraardhësit e tyre erdhën në Jerusalem mbi 1.500 vjet më parë dhe më pas, pas vitit 1915, kur turqit osmanë vranë rreth 1.5 milionë armenë në atë që konsiderohet gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të 20-të.

Alarmi për qiranë u përhap në prill, pas një vizite të papritur nga topografët izraelitë. Fjala u përhap se një investitor australiano-izraelit, shenja e kompanisë së të cilit u shfaq në vend, planifikoi të transformonte parkingun dhe kështjellën gëlqerore të apartamenteve dhe dyqaneve armene në një hotel ultra luksoz.

Mashtrimi i priftit

Edhe Jeta e libanezëve pranë kufirit izraelit mes frikës e tensionit Botë 3 j. më parë Jeta e libanezëve pranë kufirit izraelit mes frikës e tensionit

Ndërsa zemërimi, konfuzioni dhe frika e dëbimeve të mundshme u rritën, patrikana armene - organi që menaxhon çështjet civile dhe fetare të komunitetit - pranoi se kisha kishte hequr dorë nga toka. Patriarku armen, Nourhan Manougian, pretendoi se një prift tashmë i larguar nga detyra mbante përgjegjësinë e plotë për marrëveshjen "mashtruese" që patriarku tha se ndodhi pa dijeninë e tij të plotë.

Kjo marrëveshje nxiti reagimin në lagjen armene, ku aktivistët e dënuan marrëveshjen si një kërcënim për praninë e gjatë të komunitetit në Jerusalem. Jordania, me lidhjet e saj historike me vendet e krishtera të Jerusalemit, tha se kishte frikë për "të ardhmen e qytetit të shenjtë".

Zyrtarët palestinezë akuzuan Manougian se ka ndihmuar Izraelin në një betejë të gjatë midis Izraelit dhe palestinezëve për një qytet që të dyja palët pretendojnë si kryeqytetin e tyre. Për palestinezët, beteja të tilla për pronat e paluajtshme janë pjesa qendrore e konfliktit dhjetëvjeçar, emblemë e asaj që ata e shohin si një përpjekje më e gjerë izraelite për t'i larguar ata nga zonat strategjike në Jerusalemin lindor.

“Nga këndvështrimi palestinez, kjo është tradhti. Nga pikëpamja e aktivistëve të paqes, kjo minon zgjidhjet e mundshme të konfliktit”, tha Dimitri Diliani, president i Koalicionit Kombëtar të Krishterë të Tokës së Shenjtë.

Në një lëvizje dramatike, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dhe mbreti i Jordanisë, Abdullah II, pezulluan njohjen e Manougian, patriarkut që ka shërbyer për dekadën e fundit në atë që normalisht është një pozicion i përjetshëm. Kjo e bën atë të paaftë të nënshkruajë kontrata, të bëjë transaksione dhe të marrë vendime në territoret palestineze dhe Jordani.

Prifti që koordinoi marrëveshjen, Baret Yeretsian, u largua me forcë nga pozita, u sulmua nga një turmë të rinjsh armenë të zemëruar dhe u largua nga policia izraelite përpara se të kërkonte strehim në Kaliforninë Jugore. Sipas banorëve, Manougian e ka barrikaduar veten në manastirin armen, pa dëshirën ose pamundësinë për t'u parë publikisht.

Image

“Ne duhet të luftojmë për të”

“Ky tremujor është gjithçka për mua. Është i vetmi vend që kemi për armenët që të mblidhen në Tokën e Shenjtë”, tha udhëheqësi i komunitetit, 22-vjeçari Hagop Djernazian. “Ne duhet të luftojmë për të”.

Lagjja është shtëpi e rreth 2 mijë armenëve me të njëjtin status si palestinezët në Jerusalemin lindor të aneksuar nga Izraeli – banorë, por jo qytetarë, në fakt pa shtetësi. Izraeli aneksoi Jerusalemin lindor, ku ndodhet Qyteti i Vjetër, pasi e pushtoi atë në vitin 1967, veprim që nuk njihet ndërkombëtarisht.

Për muajin e kaluar - protestuesit kanë formuar një zinxhir njerëzor rreth lagjes dhe janë mbledhur nën dritaren e Manougianit, duke bërtitur "tradhtar" dhe duke kërkuar që ai të tregojë se kush e ka dhënë tokën me qira dhe si.

Ndërsa kisha armene ka refuzuar të zbulojë detaje rreth shitjes, Yeretsiani identifikoi investitorin si biznesmenin australiano-izraelit, Danny Rothman. Si menaxher i pasurive të paluajtshme të kishës, Yeretsiani tha se po vepronte me kërkesë të patriarkut.

Ka shumë pak informacion në dispozicion për Rothmanin, i cili gjithashtu ka përdorur mbiemrin Rubinstein, sipas një vendimi rregullator të Qipros të vitit 2016, që e gjobit atë për falsifikimin e formimit të tij akademik.

Faqja e tij në LinkedIn e përshkruan atë si kryetar të një kompanie hoteliere të quajtur Xana Capital. Të dhënat tregojnë se firma – e krijuar në Emiratet e Bashkuara Arabe – u regjistrua në Izrael në korrik të vitit 2021. Javë më vonë, dhjetëra priftërinj armenë ngritën alarmin e parë për një marrëveshje pronësie që u arrit pa pëlqimin e tyre.

Kohët e fundit doli një tabelë që cilësonte parkingun armen si pronë e Xana Capital.

Edhe Nën hijen e luftës me Iranin, kolonët izraelitë terrorizojnë komunitetet palestineze Botë 4 muaj më parë Nën hijen e luftës me Iranin, kolonët izraelitë terrorizojnë komunitetet palestineze

Dëbimi i banorëve

Rothmani, i cili është me qendër në Londër, nuk pranoi të komentojë kur u kontaktua nga “Associated Press”. “Unë kurrë nuk intervistohem nga shtypi. Unë jam një person privat”, tha ai përpara se ta mbyllte telefonin. Prifti Yeretsian tha se Rothman planifikon të zhvillojë një vendpushim të nivelit të lartë në lagjen armene. Projekti, shtoi ai, do të menaxhohet nga kompania e hoteleve “One&Only” me qendër në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020. Marrëveshja duket të jetë e profilit më të lartë - dhe më e diskutueshme – që del nga lidhjet e biznesit që u krijuan sipas marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të njohura si Marrëveshja e Abrahamit.

Ministria e Jashtme e Izraelit nuk pranoi të komentojë, duke përmendur ndjeshmërinë politike.

Kerzner International, pronar i “One&Only Resorts”, gjithashtu nuk pranoi të komentojë. Kompania me bazë në Dubai tha vetëm se "gjithmonë po eksploron mundësitë për të rritur portofolin e saj të resorëve ultraluksoze".

Arkitekti i njohur izraelit, Moshe Safdie, i tha AP-së se Rothmani do të financonte projektin dhe se ai do ta projektonte. Ndërtimi, tha ai, do të fillojë pas gërmimeve në parking. Është e paqartë nëse banorët do të dëbohen, por patrikana ka premtuar se do të ndihmojë çdo banor të zhvendosur.

Toka e dhënë me nënshkrim

Saga pasqyron luftën për politikën dhe pronat e paluajtshme që ka shqetësuar Tokën e Shenjtë për shekuj.

Investitorët hebrenj në Izrael dhe jashtë saj prej kohësh kanë kërkuar të blejnë prona në Jerusalemin lindor. Lagjja armene është e dëshirueshme, sepse ngjitet me lagjen hebraike dhe me murin perëndimor, vendi më i shenjtë ku hebrenjtë mund të luten.

Qëllimi i tyre është të zgjerojnë praninë hebraike në Jerusalemin lindor, duke çimentuar kontrollin izraelit të pjesës së qytetit të pretenduar nga palestinezët si kryeqyteti i tyre.

Skandalet që përfshijnë shitjen e tokave për kolonët hebrenj kanë përfshirë më parë Kishën Ortodokse Greke, kujdestare e shumë vendeve të krishtera në rajon.

Dy dekada më parë, Kisha Greke u shiti dy hotele të drejtuara nga palestinezët në Qytetin e Vjetër kompanive të huaja që vepronin si fronte për një grup kolonësh hebrenj. Marrëveshjet e fshehta çuan në rënien e patriarkut grek dhe shkaktuan zhurmë ndërkombëtare.

Yeretsian, në Kaliforni, hodhi poshtë frikën për marrjen e lagjes armene nga një kolon izraelit si "propagandë" e bazuar vetëm në identitetin hebre të Rothmanit.

“Qëllimi nuk ishte kurrë të judizonte vendin”, tha ai, duke pretenduar se Rothmani nuk ka agjendë politike. Ai këmbënguli që patriarku armen ishte plotësisht i angazhuar në negociatat e gjata dhe personalisht nënshkroi kontratën.

Edhe Izraeli kërcënon të marrë kontrollin e rezervuarëve të lashtë të ujit pranë Betlehemit Botë 4 d. më parë Izraeli kërcënon të marrë kontrollin e rezervuarëve të lashtë të ujit pranë Betlehemit

"Unë e bëra punën time me besnikëri në interesin më të mirë të patrikanës", tha ai, duke refuzuar të ofrojë detaje të mëtejshme rreth qirasë që ai tha se skadon pas një shekulli. Patrikana nuk pranoi të thoshte se çfarë do të bënte me paratë nga marrëveshja. Ndërkohë, armenët e Jerusalemit – të sunduar prej kohësh nga fuqitë e huaja, të zhvendosur nga luftërat dhe të shtypur mes izraelitëve dhe palestinezëve – janë të tmerruar. “Tokat tona u fituan centimetër pas centimetri me gjak dhe djersë”, tha 26-vjeçari, banor, Setrag Balian. “Me një nënshkrim u dhanë”.

Përktheu: Forca Jashari