Franca është bërë shteti i parë i madh perëndimor që publikisht ka mbështetur krijimin e një gjykate speciale për të gjykuar zyrtarët e lartë rusë – potencialisht duke përfshirë Vladimir Putinin – për krimin e agresionit në Ukrainë.
Ministria e Jashtme franceze ka thënë se po punon me partnerët evropianë për propozimin. Deklarata erdhi pasi BE-ja dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhanë mbështetje për tribunalin, raportoi The Guardian.
Të pandehurit e një gjykate të tillë do të ishin ata me fuqi vendimmarrëse të përfshirë në kryerjen e krimit të agresionit, që do të thotë shkelje e kufijve të Ukrainës nga ushtria ruse. Kjo ka shumë të ngjarë të nënkuptojë vetëm një pjesë të figurave, duke përfshirë Putinin si dhe figura të tjera si ministri i jashtëm, Sergei Lavrov dhe ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Nëse ata dënohen, madje edhe në mungesë, dënimi do të ngrinte marrëdhëniet aktuale me Rusinë duke e etiketuar Putinin dhe ekipin e tij kriminelë ndërkombëtarë, dhe uljen në tavolinën e negociatave gati të pamundur.
BE-ja do gjykatë speciale sepse Rusia nuk e ka nënshkruar traktatin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke e lënë gjykatën në Hagë pa juridiksion mbi “krimet e agresionit” të kryera nga qeveria ruse. GJNP-ja mund të gjykojë krimet specifike të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Ukrainë, edhe pse Putini dhe ministrat e tij të lartë ruajnë imunitetin nga ndjekja penale gjatë kohës që janë në detyrë.