Franca ka njoftuar të enjten se ambasada e saj në Ukrainë do të kthehet shumë shpejt nga Lvivi në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
“Ky ritransferim do të ndodhë shumë shpejt dhe do t’i lejojë Francës të thellojë më tej mbështetjen e saj për Ukrainën në çdo fushë, në mënyrë që të përballet me luftën e nisur nga Rusia më 24 shkurt”, ka njoftuar Ministria e Jashtme Franceze të enjten.
Sipas deklaratës, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, përmes një telefonate ka informuar homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, për këtë lëvizje.
Në këtë bisedë, dyshja ka diskutuar edhe për ndihmën e Francës në mbledhjen dhe dokumentimin e provave të krimeve të kryera nga forcat ruse në Ukrainë si dhe për operacionet humanitare dhe sigurimin e pajisjeve ushtarake.
Ambasada franceze është zhvendosur në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, në fillim të muajit mars, pasi Rusia nisi pushtimin e vendit fqinj.