Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Forcat ruse largohen nga qyteti ukrainas Slavutych

Forcat ruse janë larguar nga qyteti ukrainas Slavutych, ku është zhvendosur personeli i Termocentralit bërthamor të Chernobylit në fund të viteve ’80.

Kryebashkiaku Yuri Fomichev tha të hënën se “forcat ruse kanë përfunduar detyrën e tyre për vëzhgimin e qytetit”.

"Ata përfunduan punën që kishin vendosur ta bënin. Vëzhguan qytetin, sot mbaruan së punuari dhe u larguan nga qyteti. Nuk ka asnjë në qytet tani”, ka thënë kryebashkiaku i qytetit verior në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, raportoi Reuters.

Slavutych është ngritur si qytet enkas për punëtorët e termocentralit dhe banorët tjerë të Chenobylit, pas shpërthimit të tij më 1986, ndërsa sipas regjistrimeve të fundit më 2020, qyteti ka 24,784 banorë.

Fomichev, i ulur midis dy flamujve të vegjël të Bashkimit Evropian dhe Ukrainës, ka shtuar se ai ishte duke punuar dhe jo duke bashkëpunuar me rusët.

Ndërkohë, forcat ruse vazhdojnë të mbajnë nën kontroll termocentralin e Chernobylit. Atë e kanë marrë në ditët e para pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkatërruar disa qytete, duke shkaktuar krizë të madhe humanitare, me ç’rast janë zhvendosur rreth 10 milionë njerëz, gati një e katërta e popullsisë.

Artikuj të ngjashëm