Forcat qeveritare në Siri kanë zbuluar një numër tunelesh dhe bunkerësh të nëndheshëm që përdoreshin nga forcat opozitare, teksa regjimi i presidentit Bashar al-Assadit po e vazhdon avancimin drejt Idlibit.
Sistemi i bunkerëve ishte i fshehur në male dhe i sigurt nga sulmet me raketa. Bunkeri kishte dhjetë dhoma dhe secila prej tyre ishte e pajisur me tualet, transmeton KTV. Pos kësaj, kishte edhe sistem ventilimi dhe ujësjellës, duke shkaktuar habi se si krejt këto sisteme janë sjellë në bunker.
Në disa pjesë të bunkerit kishte pajisje ndërtimore, që do të thotë se opozitarët e kishin ndërmend zgjerimin e tij.
Ndërkohë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se ushtria turke do ta lërë anash marrëveshjen e armëpushimit, për t’i sulmuar forcat qeveritare siriane në rast se lëndohet ndonjë ushtar turk në rajonin e Idlibit.
Javëve të fundit, forcat qeveritare të përkrahura nga Rusia dhe Irani. kanë avancuar drejt Idlibit, duke detyruar me mijëra qytetarë që t’ia mësyjnë kufirit me Turqinë.