Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, njoftuan të premten se kanë arritur një marrëveshje të re me qeverinë qendrore të Sirisë, me synimin për të stabilizuar armëpushimin që u dha fund përleshjeve disajavore dhe për t’i përcaktuar hapat drejt integrimit mes dy palëve.
Sipas marrëveshjes, forcat e sigurisë të lidhura me Ministrinë e Brendshme siriane do të hyjnë në qytetet al-Hasakeh dhe Qamishli, në qendër të zonave kurde, ku më parë u ishte ndaluar hyrja. Po ashtu, do të nisë procesi i integrimit të forcave të SDF-së me forcat qeveritare, raporton AP.
Marrëveshja parashikon krijimin e një brigade të re ushtarake që do të përfshijë tri brigada nga SDF-ja, si dhe formimin e një brigade të përbërë nga luftëtarë të SDF-së brenda një brigade të ushtrisë qeveritare në provincën e Alepos.
Institucionet lokale në administratën kurde të Sirisë verilindore, e cila prej vitesh ka funksionuar si një zonë de facto autonome - si dhe punonjësit e tyre, do të integrohen në institucionet shtetërore siriane.
Marrëveshja përfshin gjithashtu garantimin e të drejtave civile dhe arsimore për popullin kurd, si dhe kthimin e personave të zhvendosur në zonat e tyre, thuhet në deklaratë.
“Qëllimi i marrëveshjes është unifikimi i territoreve siriane dhe realizimi i plotë i procesit të integrimit në rajon, përmes forcimit të bashkëpunimit mes palëve të përfshira dhe bashkimit të përpjekjeve për rindërtimin e vendit”, theksohet më tej.
Marrëveshja u konfirmua më vonë edhe nga qeveria siriane përmes një deklarate zyrtare.
SDF-ja humbi pjesën më të madhe të territorit që kontrollonte në verilindje të Sirisë pas një ofensive qeveritare, e cila pasoi përleshje të ashpra më 6 janar në qytetin verior të Alepos, pas muajsh negociatash të dështuara për zbatimin e një marrëveshjeje integrimi.
Udhëheqësit e rinj të Sirisë, që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024, kanë hasur vështirësi në vendosjen e autoritetit të plotë mbi vendin, i cili është shkatërruar nga gati 14 vjet luftë civile. Një marrëveshje për bashkimin e SDF-së me Damaskun u arrit në muajin mars, por ajo nuk arriti të zbatohej në praktikë.