Botë

Forcat e sigurisë së Birmanisë vrasin me pushkë-granatë mbi 80 protestues

Forcat e sigurimit të Birmanisë qëlluan me pushkë-granatë në drejtim të protestuesve në një qytet pranë Yangon, duke vrarë më shumë se 80 njerëz, ka thënë grupi i Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) dhe një media e lajmeve vendase.

Detajet e numrit të të vdekurve në qytetin Bago nuk ishin fillimisht të disponueshme sepse forcat e sigurimit grumbulluan trupa në kompleksin e pagodës Zeyar Muni dhe rrethuan zonën, sipas dëshmitarëve dhe mediave vendase .

Gazeta “AAPP” dhe “Myanmar Now” kanë thënë të shtunën se 82 njerëz u vranë gjatë protestës kundër grusht-shtetit ushtarak të 1 shkurtit në vend. Gjuajtjet filluan para agimit të premten dhe vazhduan deri në pasdite, sipas “Myanmar Now”.

Shumë banorë të qytetit janë larguar, sipas llogarive në rrjetet sociale.

AAPP, që ka mbajtur një numër ditor të protestuesve të vrarë dhe arrestuar nga forcat e sigurisë, ka thënë më parë 618 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i grusht-shtetit më 1 shkurt.

Kjo shifër diskutohet nga ushtria, e cila ka thënë se organizoi grusht-shtetin për shkak se zgjedhjet e nëntorit të fituara nga partia e Aung San Suu Kyi ishin të manipuluara. Komisioni zgjedhor ka hedhur poshtë pohimin.

Zëdhënësi i Junta, gjeneral-majori Zaw Min Tun ka thënë në një konferencë shtypi të premten në kryeqytetin, Naypyitaw, se ushtria kishte regjistruar 248 vdekje civile dhe 16 vdekje policie, duke shtuar se asnjë armë automatike nuk ishte përdorur nga forcat e sigurisë.

Një aleancë e ushtrive etnike në Birmani që ka kundërshtuar shtypjen e juntës sulmoi një stacion policie në lindje të shtunën dhe të paktën 10 policë u vranë, sipas mediave vendase.

Ligjvënësit e Birmanisë i kërkuan Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të premten të marrë masa kundër ushtrisë.