Qeveria finlandeze e koalicionit ka dhënë dorëheqje të premten, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, duke thënë se nuk mund ta çojë përpara pakon e reformave në shëndetësi.
“Pasqyra që e kam marrë gjatë ditëve të kaluara nga parlamenti më detyron që të tërheq konkluza. Nuk ka rrugë përpara. Jam thellësisht i zhgënjyer”, u ka thënë gazetarëve kryeministri Juha Sipila, gjatë një konference shtypi, raporton Reuters.
“Na duhen reformat, nuk ka mënyrë tjetër për sukses në Finlandë”.
Komiteti kushtetues parlamentar ka thënë se pakoja e reformave ishte jokushtetuese dhe lyp ndryshime të konsiderueshme, të cilat qeveria nuk ka pasur kohë t’i zbatojë para zgjedhjeve të caktuara, shkruan "Koha Ditore".
Presidenti Sauli Niinisto e ka pranuar dorëheqjen e Sipilas, por i ka kërkuar qeverisë së tij të partisë Qendra dhe Partisë së Koalicionit Nacional që të vazhdojnë t’i ushtrojnë detyrat deri në caktimin e një kabineti të ri.
“Qeveria ime punon në një parim, ‘rezultate apo jashtë’... duhet të kesh përgjegjshmëri në politikë”, ka thënë Sipila, duke shtuar se dorëheqja kishte qenë vendim i tiji personal.