Presidenti turk, Recep Tayyp Erdogan dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë diskutuar të hënën përmes telefonit situatën në Ukrainë dhe dërgesat e grurit.
Kremlini tha se të dy udhëheqësit shkëmbyen mendime mbi “koordinimin e përpjekjeve për të garantuar sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe eksportet e grurit në tregjet botërore”, shkruan CNN.
Sipas njoftimit të presidencës turke, Erdogani vuri në dukje se “ishte koha që Kombet e Bashkuara të ndërmarrin veprime për planin në lidhje me formimin e korridoreve të sigurta përmes Detit të Zi”.
Gjithashtu njoftimi i Kremlinit shtoi se të dy udhëheqësit i kushtuan vëmendje të veçantë intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në tregti dhe energji.
Njoftimi nga presidenca turke nuk përmendi forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis Turqisë dhe Rusisë dhe tha se Turqia është e gatshme “të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për ringjalljen e procesit të negociatave”.
Edhe
Kremlini: Putini riafirmon angazhimin për zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë
Presidenti turk zhvilloi gjithashtu një telefonatë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai i tha Zelenskyt se Turqia dëshiron paqen në Ukrainë dhe po punon në mënyrë aktive në një plan të Kombeve të Bashkuara për të eksportuar grurë ukrainas në tregjet botërore.
Sipas zyrtarëve ukrainas, më shumë se 20 milionë tonë drithë mbeten të bllokuara në Ukrainë për shkak të bllokadës ruse të porteve të ndryshme të Detit të Zi.