Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar ashpër përgjigjen e qeverive perëndimore për bombardimet e Izraelit në Gaza, duke thënë se Perëndimi nuk po ndërmerr veprime sepse “gjaku i derdhur është gjak i myslimanëve”.
“Çfarë ka ndodhur me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut?” ka pyetur ai. “Ata (Perëndimi) nuk do ta shikojë nëse nuk u shërben qëllimit të tyre. Pse? Sepse gjaku i derdhur është gjak i myslimanëve”.
Të mërkurën, Erdogani ka anuluar udhëtimin në Izrael dhe ka theksuar se pendohet se shtrëngoi duart me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, raportoi BBC.
Erdogani ka thënë të mërkurën se grupi militant palestinez i Hamasit nuk është organizatë terroriste, por grup çlirimtar që lufton për të mbrojtur tokat palestineze.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka dënuar vrasjet e civilëve nga Hamasi më 7 tetor, por i ka bërë thirrje Izraelit që të përmbahet në kundërpërgjigje. Ankaraja e ka kritikuar fuqishëm bombardimin e Gazas nga Izraeli.
“Hamasi nuk është organizatë terroriste, është grup çlirimtar, ‘muxhahedin’, që po zhvillon betejë për të mbrojtur tokat dhe popullin e vet”, ka thënë ai.