Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përsëritur thirrjen për të reformuar Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku të premten Amerika vuri veton ndaj rezolutës që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.
“Për shkak të vetos nga SHBA-ja, nuk u mor asnjë vendim. Është thelbësore që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të reformohet”, ka thënë Erdogan.
“Ne kemi humbur shpresën dhe pritjet tona nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që nga 7 tetori, misioni i të cilit është të vendosë paqen globale, është kthyer në një mbrojtës të Izraelit”, ka shtuar presidenti turk.
Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të pauzës humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas, shkruan Anadolu.
Rreth 17 mijë e 500 palestinezë besohet të jenë vrarë në enklavën e rrethuar nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite që nga ofensiva e Hamasit më 7 tetor.
Erdogan theksoi se qeveria izraelite, e mbështetur nga Perëndim, po kryen mizori dhe masakra në Gaza që turpërojnë njerëzimin në tërësi.
Edhe
Erdogani niset për në SHBA, thotë se do t’i diskutojë "masakrat" e Gazës në OKB
“Kasapët e Gazës duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit”, ka thënë Erdogan, duke shtuar se ata do të mbajnë përgjegjësi “herët a vonë”.
Ai ka thënë se “një botë e drejtë është e mundur, por jo me SHBA-në, sepse ajo mban anën e Izraelit”.