Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Erdogan bën thirrje për paqe në Palestinë: Kjo çmenduri ushqehet nga Perëndimi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që të mbështesin iniciativat për vendosjen sa më të shpejtë të armëpushimit humanitar në Gaza.

Erdogan shkruan se sulmet ndaj Gazës, të vazhdueshme dhe gjithnjë e më të forta, nuk mund të sjellin gjë tjetër veç dhimbje, vdekje dhe lot. Ai gjithashtu thotë se është mjaft e qartë se bombardimi i spitaleve, shkollave, xhamive dhe kishave nuk mund të arrijë paqen.

“Në vend që të pushojë së përsërituri gabimet e saj, administrata izraelite vepron si një organizatë që dëshiron të nxisë dhunën në rajon dhe në vende të tjera. Rajoni ynë duhet të shpëtohet sa më shpejt nga kjo çmenduri që nxitet nga vendet perëndimore dhe të cilën organizatat e mediave perëndimore e prezantojnë. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që sinqerisht të mbështesin iniciativat për vendosjen e një armëpushimi humanitar në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Erdogan në X, ish-Twitter.

Ai ia drejtoi thirrjen Izraelit që të ndalojë menjëherë operacionet e tij, “të cilat nuk janë gjë tjetër veçse gjenocid”.

“Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për të parandaluar derdhjen e më shumë gjakut të pafajshëm, për të parandaluar më shumë tragjedi humanitare dhe për të zgjidhur konfliktet në Palestinë përpara se të arrijnë pikën e pakthimit”, ka thënë Erdogan.

Që nga nisja e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit kanë lënë mijëra viktima nga të dyja palët.