Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ëndrra në venitje e Erdoganit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për më shumë se dy dekada ka bërë çmos për ta transformuar vendin e Ankarasë në botë. Sot kjo ëndërr e tija duket më larg përmbushjes se asnjëherë më parë.

Më se dhjetë vjet më parë kryeministri i atëhershëm Erdogan i përqendroi politikat e jashtme vendosmërisht në epiqendër. Në kuadër të kësaj Turqia më nuk do të zvarritej para portave të Bashkimit Evropian, duke u përgjëruar për t’u futur brenda tyre. Në vend të kësaj Turqia do të mund ta projektonte sërish fuqinë e saj rajonale, ta zgjeronte ndikimin përtej subjekteve të dikurshme imperiale në Lindje dhe të shndërrohej në një forcë globale, në të cilën mund të llogaritej.

Ishte kjo një ide që e shpërfaqte imagjinatën e bazës së tij të mbështetjes dhe e përkrahte përpjekjen e tij për ta maksimalizuar shkallën e pushtetit të tij. Aleatët e Erdoganit në Egjipt dhe Siri bënë përparime enorme politike në vitet e hershme të Pranverës Arabe, e cila nisi fillimisht në dhjetorin e 2010-s, dhe asokohe ëndrra neootomane e Erdoganit dukej të ishte materializuar.

Por me të hedhur një shikim të shpejt një dekadë më parë, duket qartë se aleatët e presidentit në rajon po e humbasin keqas fuqinë. Jashtë bastioneve rajonale të mbështetjes, si në Katar, Somali dhe përbrenda Qeverisë së Tripolit në Libinë e mbërthyer nga lufta, projeksioni i pushtetit të Erdoganit ka lënë shije të hidhur në gojët e liderëve të shumtë rajonalë.

Largimi i aleatëve

Erdogani ka ndjellur zemërimin e shteteve evropiane, në rend të parë Francës, Greqisë dhe Qipros, të cilat janë munduar publikisht që ta frenojnë yryshin e Turqisë në Mesdheun lindor.

Edhe Erdogan: Sulmet e Izraelit mbi Liban e Siri kërcënojnë edhe Turqinë Botë 1 muaj më parë Erdogan: Sulmet e Izraelit mbi Liban e Siri kërcënojnë edhe Turqinë

Ekonomia në ngecje e Turqisë, e përkeqësuar nga përpjekjet për luftimin e COVID-19, i ka dhënë një tjetër goditje projektit të Erdoganit dhe e ka kufizuar aftësinë e tij për ta shmangur izolimin përherë më të madh të Turqisë.

“Slogani i Erdoganit ishte se Turqia do të rritet me dhe nëpërmjet udhëheqjes së tij karshi shteteve me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme”, ka thënë Soner Çagaptay, drejtor i Programit Studimor Turk në kuadër të Institutit të Washingtonit për politikat e Lindjes së Afërt dhe autor i trilogjisë së librave për ngritjen e Erdoganit. “Por tani, me përjashtim të Katarit, Somalisë dhe gjysmës së Qeverisë së Libanit, vendi nuk ka lidhje të mira me asnjërën prej vendeve me shumicë myslimane në fqinjësi”.

Këto fuqi rajonale armiqësore ndaj Erdoganit duket të kenë gjetur pikë të përbashkëta me disa vende evropiane. Egjipti, Izraeli, Qiproja dhe Greqia kanë intensifikuar bashkëpunimin strategjik lidhur me disa shtysa, më saktësisht për ekstraktimin e rezervave të gazit në Mesdheun lindor, dhe kanë anashkaluar Ankaranë në gjithë këtë proces. Franca, e cila ka kundërshtuar fushatën e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë në Siri dhe mbështetjen e saj për Qeverinë me seli në Tripoli të Libisë, i ka ofruar mbështetje iniciativës energjetike të Mesdheut lindor. Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat kanë mbështetur shtypjen, nganjëherë brutalisht, të grupeve të përkrahura nga Turqia – duket se kanë mbështetur heshtas këtë ndërmarrje.