Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ekipi i Bidenit i druhet mundësisë eventuale të shkarkimit

Ligjvënësit, punonjësit e Kongresit dhe strategët parashikojnë një mori hetimesh që synojnë administratën e Joe Bidenit, veçanërisht nëse republikanët besnikë të ish-presidentit Donald Trump fitojnë shumicën në Kongres në zgjedhjet e pas dhjetë muajve për Kongres

Zgjedhjet e mesmandatit mbahen pas dhjetë muajsh, por administrata e presidentit Joe Biden dhe aleatët e tij tashmë parashikojnë një skenar të mundshëm në të cilin republikanët marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, në Senat, ose në të dyja, dhe nisin një sërë hetimesh dhe përpjekjesh për të shkarkuar presidentin, shkruan Reuters.

Ligjvënësit, punonjësit e Kongresit dhe strategët parashikojnë një mori hetimesh që synojnë administratën Biden, veçanërisht nëse republikanët besnikë të ish-presidentit Donald Trump fitojnë vende të rëndësishme komiteti në Kongres.

“Ata që kërkojnë të bëhen hetime përfshijnë republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, Matt Gaetz, i cili u zotua në një podkast se synonte Departamentin e Drejtësisë, Bob Gibbs, i cili ka bërë presion për të fajësuar Bidenin që nga shtatori për tërheqjen nga Afganistani dhe James Comer, i cili shpreson të bëhet kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve”, analizon agjencia e lajmeve Reuters.

Objektivat e Comerit përfshijnë djalin e presidentit Hunter Biden, trajtimin e çështjeve të zinxhirit të furnizimit dhe mandatet e vaksinave nga administrata, si dhe heqjen e të emëruarve të akademisë ushtarake të Trumpit, tha zyra e tij.

Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë tashmë hapa të vegjël që do të ndihmojnë në mbrojtjen e administratës nga hetimet agresive.

Ajo punësoi këshilltar të posaçëm ish-kryebashkiakun e New Orleans, Mitch Landrieu, për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit të infrastrukturës prej 1 bilion dollarësh, të cilin republikanët me gjasë do ta hetonin me dyshimin për abuzime.

Reuters shkruan se Shtëpia e Bardhë gjithashtu forcoi zyrën e këshilltarit ligjor me një zyrtar demokratik të komunikimit për një kohë të gjatë për të ndihmuar shkaku i pasojave nga tërheqja kaotike e trupave nga Afganistani vitin e kaluar.

Ekipi i transicionit i Bidenit pas fitores në zgjedhjet e vitit 2020 themeloi zyrën e këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë në pritje që republikanët të fitonin Senatin dhe të zhvillonin hetimet, tha një anëtar i ekipit.

Zgjedhjet e balotazhit të janarit 2021 në shtetin Georgia ua lanë kontrollin e trupit demokratëve, por zyra e këshilltarit ende e ka atë fuqi ligjore.

"Ne kishim çdo arsye për të besuar se do të ishte një Senat republikan", tha Andy Wright, drejtor i politikës ligjore për ekipin e tranzicionit. "Kjo ishte ndërtuar në planifikimin fillestar”.

Ky planifikim përfshinte Jonathan Sun, i cili ka përvojë në trajtimin e hetimeve gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë të Barack Obamës, ku shërbente si zëvendëskëshilltar i Bidenit.

Shtëpia e Bardhë, Biden mund të punësojë studiues të rinj, avokatë dhe zyrtarë të komunikimit për t'u fokusuar në hetimet, thanë strategët.

Ben LaBolt, ish-zëdhënës i Obamës, tha se Shtëpia e Bardhë e Clintonit dhe Obamas mblodhi ekipe përafërsisht të së njëjtës madhësi dhe ekspertizë si komitetet e Kongresit që ndjekin hetimet.

“Ju duhet të keni një strukturë paralele në Shtëpinë e Bardhë që të jetë e aftë të parashikojë ato sulme, t'u përgjigjet atyre sulmeve”, theksoi ai për Reutersin.

Artikuj të ngjashëm