Botë

E-mailet e Epsteinit thoshin se “Trumpi e dinte për vajzat”

Jeffrtey Epstein

Partia Demokratike në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan ka publikuar një seri e-mailesh që kanë nxitur pikëpyetje në raport me lidhjet e presidentit Donald Trump dhe Jeffrey Epsteinit, që ishte abuzues seksual i fëmijëve. Sipas e-maileve, Trumpi “ka pasur njohuri për vajzat”.

Në mesin e 20 mijë faqe dokumentesh, Trumpi u përmend disa herë.

Ndër të publikuarat ishin tri këmbime e-mailesh mes Epsteinit (që vdiq më 2019 në burg) dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, që po vuan dënimin prej 20 vjetësh burgim për trafikim seksual.

Ata po ashtu publikuan edhe e-mailet mes Epsteinit dhe autorin Michael Wolff, që ka shkruar disa libra për Trumpin.

E menjëherë, Republikanët lëshuan një seri dokumentesh për të kundërshtuar “përzgjedhjen” e dokumenteve nga Demokratët. Ata po ashtu kanë akuzuar se Demokratët po përpiqen të krijojnë “një narrativë të rreme për të dëmtuar Trumpin”.

E-mailet ishin siguruar nga autoritetet si pjesë e hetimeve federale të rastit.

Trumpi ka qenë mik i Epsteinit për disa vite, por presidenti pati thënë se ata kanë prishur raportet në fillim të të 2000-ave, dy vjet para se Epsteini të arrestohej për herën e parë. Trumpi në vazhdimësi ka mohuar se ka qenë në dijeni të çfarëdo keqpërdorimi nga Epsteini.

E-mailet e parë të lëshuar janë ato të vitit 2011 në mes të Epsteinit dhe Maxwellit. Edhe në e-mailet e mëvonshme ata flasin për lidhjen me Trumpin – që atë kohë po synonte të siguronte mandatin e parë si president.

Më 2015, sipas e-maileve, Wolffi i kishte shkruar sërish Epsteinit për ta njoftuar se CNN-i po planifikon ta pyesë Trumpin për raportet e tyre.

Në një e-mail të 2016-s, pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, Wolffi i kishte ofruar Epsteinit një shans për t’u ulur për një intervistë “që mund t’i jepte fund” Trumpit.

“Ka shans që të vini këtë javë dhe të flisni për Trumpin në një mënyrë që mund të ju sigurojë simpati të madhe dhe ju ndihmon ta shkatërroni. A jeni i interesuar?” i kishte shkruar Wolff – Epsteinit.

Një e-mail tjetër ishte e janarit të 2019-s, gjatë mandatit të parë të Trumpit. Në të Epsteini i thotë Wolffit se “Trumpi ka thënë se ka kërkuar që të dorëhiqem”, që dukej si referencë për anëtarësinë e tij në klubin Mar-a-Lago të presidentit, duke shtuar se “s’ka qenë kurrë anëtar”.

Epsteini në këtë komunikim ka shtuar se “sigurisht që ai dinte për vajzat pasi i ka kërkuar Ghislainet të ndalej”.

Duke iu përgjigjur këtyre publikimeve në një video në Instagram, Wolff ka thënë se ai është përpjekur ta tregojë rrëfimin e tij qe një kohë të gjatë.

Epstein ishte abuzues seksual i fëmijëve. Më 2005 ndaj tij nisën hetimet pas akuzave nga një prind se si mësimdhënës kishte abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare. Fillimisht u dënua më 2008 e më pas u lirua pas 13 muajsh. Më 2019 u arrestua sërish. Gjatë gjykimit, u gjet i vdekur në qeli më 10 gusht 2019.