Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

E djathta ekstreme nën llupën e Inteligjencës gjermane

Foto: Reuters

Shërbimi i Inteligjencës gjermane ka vënë nën mbikëqyrje të rreptë disa grupe të partisë së të djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë”, të cilën Berlini e cilëson si kërcënim për rendin demokratik.

Cak i mbikëqyrjes është krahu Flygel, një grup ky i partisë, fort i fuqishëm në lindje të Gjermanisë, transmeton KOHA. Ky krah prihet nga Bjorn Hycke, një deputet kundërthënës në Thuringia, shtet që ishte në epiqendër të skandalit që shkundi politikën gjermane gjatë muajit shkurt.

Inteligjenca gjermane e ka përshkruar Flygelin si organizatë ekstremiste që ka 7 mijë anëtarë, ose 20 për qind të anëtarësisë së AfD-së.

Lideri i këtij krahu ishte akuzuar për një kohë të gjatë për retorikën e dhunshme ndaj fesë islame dhe refugjatëve. Hycke ngjalli reagime të ashpra muajin e shkuar kur arriti marrëveshje me politikanin liberal, Thomas Kemmerich, që të bëhet kryeministër i shtetit falë votave të AfD-së dhe kristiandemokratëve të kancelares Angela Merkel.

Zgjedhja e tij theu tabunë e partive kryesore gjermane për mosbashkëpunim me ekstremistët e djathtë e të majtë.