Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

E diela shënoi numrin më të madh ditor të rasteve me koronavirus

Më shumë se 180,000 raste të reja me koronavirus janë regjistruar të dielën në tërë botën, duke shënuar rritjen më të madhe ditore që nga fillimi i pandemisë, sipas OBSH-së.

Agjencia e Shëndetësisë e OKB-së ka thënë se të dielën u regjistruan 183.000 raste të reja brenda 24 orëve, duke çuar totalin e të infektuarve në botë në 8.708.000, shkruan Independent të hënën.

Brazili ishte në krye të listës me 54,771 raste ditore, i përcjell nga SHBA-ja me 36.617 raste të reja. Mbi 15.400 raste erdhën nga India.

Ndërkohë 4.743 persona vdiqën në tërë botën të dielën dhe totali shkoi në 461.715.

Më shumë se dy e treta e vdekjeve u raportua nga kontinenti i Amerikës, që është epiqendra e re e pandemisë, transmeton KOHA.

SHBA-ja ka numrin më të madh të infektimeve të raportuara me mbi 2.3 milionë dhe numrin më të madh të vdekjeve, me afro 120.000.

Rritja e shpejtë e rasteve të reja me COVID-19 është duke ndodhur gjersa shumë shtete nisën të rihapin kufijtë dhe të lirojnë masat e karantinimit, për të ringjallur ekonomitë e shkatërruara.

Edhe Shifra rekorde të rasteve me koronavirus nëpër botë Botë Shifra rekorde të rasteve me koronavirus nëpër botë

Në Afrikën Jugore, presidenti Cyril Ramaphosa lajmëroi se do të hapen kazinotë, sallonet e bukurisë dhe restorantet, pavarësisht numrit të madh prej 5.000 rasteve të reja të regjistruara brenda ditës.

Kina gjithashtu ka shtrënguar kufizimet në Pekin, pasi u raportua për një grup të ri të rasteve dhe u është ndaluar personave të dalin nga ky qytet pos nëse rezultojnë negativ në test. Të dielën u raportuan edhe 25 raste të reja, përfshirë 22 në kryeqytet.

Në Korenë Jugore, afro 200 infektime kanë ardhur nga punëtorët e një kompanie të shitjeve nga dera në derë dhe së paku 70 raste janë lidhur me një klub të ping pongut.