Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dy të vdekur nga të shtënat me armë në një kishë në SHBA

Dy persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur të enjten si pasojë e të shtënave në një kishë periferi të Birmingham, Alabama, bëri të ditur policia amerikane.

Një i dyshuar, i cili nuk u identifikua publikisht, është në paraburgim, tha kapiteni Shane Ware në Departamentin e Policisë Vestavia Hills. Viktima e mbijetuar është duke u trajtuar në spital për lëndime të cilat nuk janë bërë të ditura, raportoi CNN të premten.

Të shtënat në kishën episkopale të Shën Stefanit në Vestavia Hills u raportuan rreth orës 18:22, sipas kohës lokale.

Sipas kalendarit të kishës, një ngjarje e quajtur "Boomers Potluck" ishte planifikuar në të njëjtën kohë kur kanë ndodhur të shtënat, por nuk ishte e qartë nga konferenca për media nëse dhuna ndodhi pikërisht në atë ngjarje.

Është gjithashtu e paqartë se sa njerëz ishin në ngjarje kur u qëlluan.