Dy persona kanë vdekur si pasojë e një zjarri të madh në rajonin e Katalonjës në Spanjë një ditë më parë, i cili është vënë kryesisht nën kontroll, kanë thënë shërbimet dhe zyrtarët e emergjencës, teksa Evropa po përballet me një valë të fortë të nxehtësisë.
Zjarri në Torrefeta shpërtheu në një zonë bujqësore të martën pasdite, duke shkatërruar disa ferma dhe duke prekur një zonë që shtrihet për rreth 40 kilometra, kanë thënë zjarrfikësit, raporton Reuters.
"Zjarri ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe i çrregullt për shkak të stuhive dhe erërave të forta, duke ndërlikuar përpjekjet e shuarjes", ka thënë shërbimi i zjarrfikësve në një deklaratë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se priten më shumë stuhi të mërkurën pasdite dhe kërkuan vigjilencë.
"Ju lutemi të tregoni kujdes dhe të ndiqni të gjitha udhëzimet dhe rekomandimet nga shërbimet e emergjencës", ka thënë udhëheqësi rajonal i Katalonjë,s Salvador Illa në një postim në X.
Rreth 14,000 banorëve iu kërkua të qëndronin brenda për disa orë të martën.
Zjarri i ashpër vjen teksa Evropa përballet me një valë të jashtëzakonshme të nxehtësisë, duke shkaktuar alarme për nxehtësinë në të gjithë rajonin.
Agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET, e cila më parë këtë javë raportoi qershorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, lëshoi paralajmërime për temperatura të larta, stuhi dhe erëra të forta në pjesën më të madhe të Gadishullit Iberik të mërkurën.