"Ne kemi një vit të mrekullueshëm përpara nesh!", janë fjalët e shkruara nga mësuesja e klasës së katërt, Eva Mireles, 44 vjeç, në fillim të vitit shkollor, e cila tani nuk jeton më.
Të enjten, që do të ishte edhe dita e fundit e shkollës, ajo dhe mësuesja tjetër Irma Garcia 48 vjeç, duhej të bënin gati klasën e tyre të përbashkët në “Robb Elementary” në qytetin e vogël të Texasit, Uvaldes dhe të përgatiteshin për pushimet verore.
Në vend të kësaj, familjet e tyre tani po bëjnë organizime funerali, pasi ato bashkë me 19 fëmijë të tjerë u qëlluan me armë zjarri gjatë një sulmi masiv, nga një 18-vjeçar, shkruan BBC-ja të enjten.
Në ditët e sulmit të së martës, trimëria e Garcias dhe Mireles është vlerësuar, pasi ato janë parë duke u përpjekur t’i strehojnë nw tw sigurtw studentët e tyre dhe t’i ruajnw nga plumbat.
Garcia u gjet nga oficerët "duke përqafuar fëmijët deri në frymën e fundit", tha nipi i saj John Martinez për “New York Times”.
"Ajo sakrifikoi veten duke mbrojtur fëmijët në klasën e saj. Ajo ishte një hero", shkroi ai në një faqe për mbledhjen e fondeve.
Ndërkohë, motra e mësueses Mireles, Maggie, shkroi se "Eva është me të vërtetë përkufizimi i një heroi. Ajo la mënjanë frikën e saj për të mbrojtur nxënësit e saj atë ditë”.
Garcia dhe Mireles kanë qenë një ekip mësimdhënësesh për pesë vjet dhe kishin 40 vjet përvojë së bashku.
Një foto e bërë muajin e kaluar tregon mësueset në klasën e tyre duke vëzhguar studentët, ndërsa ata punojnë në iPad.
“Eva Mireles dhe Irma Garcia ishin dy nga mësueset më të mëdha që Uvalde ka njohur ndonjëherë. Klasa e tyre ishte plot argëtim, rritje, qeshje, punë ekipore dhe mbi të gjitha dashuri”, shkroi në rrjetet sociale Natalie Arias, një specialiste e arsimit që jeton në Uvalde.
Eva Mireles and Irma Garcia were two of the greatest teachers Uvalde, TX has ever known. Their classroom was full of fun, growth, giggles, teamwork, and, most of all, love. Their legacy will live in the hearts of our community forever. #uvaldestrong pic.twitter.com/Es95ZIURUi
— Natalie Arias, M.Ed. (@natariastx) May 25, 2022
Bashkëshorti i Mireles, Ruben Ruiz, është një oficer policie i shkollës. Dy muaj më parë ai kreu në shkollën e mesme në Uvalde një stërvitje me gjuajtje aktive - e cila është e zakonshme në shkollat amerikane. Ai nuk e dinte se vetëm disa javë më vonë, gruaja e tij do të bëhej viktimë e një veprimi të tillë.
“Washington Post” raportoi se Ruiz nxitoi për te shkolla “Robb Elementary” kur dëgjoi lajmin dhe iu desh të mbahej nga oficerët e tjerë teksa përpiqej me dëshpërim të shkonte te gruaja e tij.
Të paktën 185 fëmijë, edukatorë dhe njerëz të tjerë janë vrarë në sulmet në shkollat amerikane që nga masakra e vitit 1999 në Columbine High, sipas të dhënave të “Washington Post”.