Botë

Dy jetë të reja në dy vjet lufte

RREFIM I

Hadeel Al Gherbawi ka sjellë në jetë dy djem gjatë dy vjetëve të luftës në Rripin e Gazës, mes bombardimeve, zhvendosjeve të shpeshta dhe urisë ekstreme. Shtatzënitë e saj u shoqëruan me frikë, mungesë shërbimesh mjekësore dhe kushte çnjerëzore jetese. Ajo lindi një fëmijë në spital gjatë sulmeve dhe tjetrin në ambulancë, duke sakrifikuar ushqimin e vet për fëmijët. Rrëfimi i saj pasqyron vuajtjen e grave dhe familjeve civile në Gazë gjatë luftës

(The Guardian) - Hadeel Al Gherbawi ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë kur filloi lufta në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023. Deri në atë pikë, 26-vjeçarja ishte përgatitur me shumë kujdes për ardhjen në jetë të djalit të saj. Ajo vizitonte mjekun dy herë në muaj sepse shtatzënia ishte me rrezik të lartë, bënte ekografi të rregullta dhe merrte vitamina.

“Më pëlqejnë detajet”, ka rrëfyer ajo.

Duke jetuar në anën lindore të Qytetit të Gazës, afër kufirit me Izraelin, dhe duke e ditur se shtatzënia do ta bënte të vështirë lëvizjen e shpejtë, ajo vendosi të shkonte te prindërit e saj në perëndim të Qytetit të Gazës që ditën e parë.

“Mendova se do të kalonin vetëm disa ditë dhe do të kthehesha”, ka thënë fillimisht ajo.

Familja ishte zhvendosur 13 herë që atëherë dhe shtëpia në të cilën jetonin ajo me burrin e saj është shkatërruar.

Në fund të tetorit, rreth pesë javë para datës së lindjes, Al Gherbawi ndodhej pranë një vendi kur ishte kryer një sulm masiv izraelit, në një ndërtesë banimi në Qytetin e Gazës.

“Ndihej si një tërmet”, ka kujtuar Al Gherbawi.

Ajo kishte ikur në spitalin al-Shifa, në të cilin njerëzit e zhvendosur kishin mbushur çdo hapësirë. Përdorimi i banjës ishte pothuajse i pamundur.

“Nuk mund ta harroj tmerrin e asaj nate”, ka thënë ajo. Kishte një vend për trupa të paidentifikuar dhe një fuçi për pjesë trupash. Sulmi raportohet se kishte vrarë më shumë se 100 njerëz. Al Gherbawi e ka kujtuar erën e atyre momenteve. “Nuk mund ta duroja. Isha shtatzënë. Ndihesha keq… Zoti i mëshiroftë ata që u vranë”, ka thënë ajo.

Al Gherbawi dhe burri i saj vendosën se ishte më e sigurt të shkonin në jug për të lindur fëmijën e saj. Në kampet e zhvendosjes, përdorimi i banjës mbeti një makth.

Ajo zgjonte dikë që ta shoqëronte shpesh gjatë natës.

Shumë e frikësuar për të hyrë në lindje natyrshëm, sepse gjetja e transportit, veçanërisht gjatë natës, do të ishte e vështirë, ajo u kërkoi mjekëve në spitalin Nasser në qytetin e Khan Younis ta nxisnin lindjen.

Kur ndërtesa pranë u godit teksa ajo ishte në proces të lindjes, ajo kishte frikë se paniku dhe kaosi mund të çonin në përzierjen e foshnjës së saj me një tjetër dhe i kërkoi nënës së saj të bënte rojë. Ajo e ka cilësuar të padurueshme frikën që e ka përjetuar ato çaste.

Pasi erdhi në jetë Jawadi, Al Gherbawi u zhvendos në një apartament me qira, duke fjetur në një dhomë me 30 persona. Ajo nuk mundi të gjente qetësues dhimbjesh për qepjet që kishte nga lindja dhe duroi në heshtje dhimbjen natën që të mos i zgjonte të tjerët.

Ajo beson se kishte edhe depresion pas lindjes.

“Fytyra ime ishte e zbehtë, isha e dobët, e brishtë dhe flokët po më binin”, ka rrëfyer Al Gherbawi.

Disa muaj më vonë, ata u zhvendosën në një tendë.

“Ishte hera e parë që jetoja në një tendë”, ka thënë ajo me kujtime të hidhura. “Rëra, insektet...” Ajo shqetësohej vazhdimisht se mos Jawad do të pickohej. E përqafonte natën dhe zgjohej shpesh për të kontrolluar nëse ishte ende gjallë: kishte dëgjuar për të porsalindur që vdiqnin nga ngrirja.

Shtatzënia tjetër

Pastaj, kur Jawad ishte nëntë muajsh, Al Gherbawi zbuloi se ishte përsëri shtatzënë.

“Në fillim u shokova dhe u mërzita”, ka thënë ajo. “Si do të sjell një fëmijë tjetër në këtë botë teksa jetoja në një tendë?”.

Armëpushimi i janarit 2025 i kishte sjellë shpresë të shkurtër.

“Nuk mund ta përshkruaj sa e lumtur isha”, ka kujtuar Al Gherbawi ndjenjat. Pavarësisht se ishte në tremujorin e parë të shtatzënisë dhe përkundër këshillës së të gjithëve, ajo këmbënguli të kthehej në veri drejt apartamentit të saj. Me burrin kaluan një natë të ftohtë duke qëndruar ulur në trotuarin e rrugës bregdetare duke pritur që të hapej pika e kontrollit. Më në fund, ata arritën në shtëpinë e tyre, me dhomën blu të Jawadit dhe dekorimet që ajo i kishte varur para luftës.

I kaluan gjashtë javë atje dhe filluan përgatitjet për lindjen e dytë. Më 18 mars, Izraeli shkeli armëpushimin dhe familja u detyrua të zhvendosej përsëri. Shtëpia e tyre më vonë u shkatërrua.

Shtatzënia e dytë rezultoi shumë më e vështirë se ajo e mëparshme. Të gjithë nëntë muajt kaluan tërësisht në luftë. Ajo ka kujtuar se në atë periudhë uria ishte më e keqja.

“Kishte ditë të tëra ku e vetmja gjë që kisha ishte një kastravec”, ka treguar ajo.

Al Gherbawi shqetësohej për foshnjën në bark dhe zemra i thyhej duke parë Jawadin të qante për ushqim. “Gjyshe, gjyshe”, thoshte ai, fjala e tij për ushqim. Sa herë që kishte ushqim, ajo i jepte pjesën e saj.

“Nuk kishte asgjë tjetër që mund të bëja”, ka kujtuar Al Gherbawi. “Sulmet, mungesa e sigurisë, mungesa e privatësisë, të qenit në një tendë - e gjithë kjo ishte e vështirë, por uria ishte gjëja më e vështirë. Duhej të flije dhe mund të qaje sepse ishe e uritur e nuk mund të gjeje asgjë për të ngrënë”.

Goditja nga uria

Kombet e Bashkuara kanë konstatuar se veprimet e Izraelit në Gazë, me viktima masive civile dhe kushte kërcënuese për jetën të imponuara qëllimisht, janë “në përputhje me karakteristikat e gjenocidit”, duke përfshirë “përdorimin e urisë si metodë lufte”.

Afër datës së lindjes, Al Gherbawi vendosi të kthehej te prindërit e saj, pranë një spitali me inkubatorë. Ajo kërkoi të kryente lindje cezariane si në herën e parë, por spitali ishte i mbingarkuar me raste urgjente dhe mjekët e siguruan se mund të lindte natyrshëm.

Një natë, filluan komplikimet. Duke mos dashur të shqetësonte të tjerët që “nuk hëngrën gjithë ditën” dhe po flinin, ajo thirri një ambulancë para se të zgjonte nënën e saj. Burri i saj ishte në jug. Me dhimbjet që shtoheshin çdo pesë minuta, ajo zbriti pesë kate poshtë. Ndërtesa nuk kishte energji elektrike për ashensorin. Ajo solli në jetë një djalë në ambulancë disa minuta më vonë. Ia vuri emrin Fares. Faresi peshonte vetëm 2 kilogramë. Al Gherbawi ia ka atribuuar këtë urisë dhe ka thënë se djali i ka mbetur i vogël edhe sot e kësaj dite.

Në spital, kishte gjak në shtratin e saj. Infermierja i pati thënë se nuk kishte anestezi, do të duhej ta qepnin pa të. Përjetoi sërish dhimbje të cilat i quan të padurueshme.

Spitali kishte nevojë për shtratin. Al Gherbawi, e rraskapitur dhe me dhimbje, duhej të ulej në një karrige derisa të mbaronte periudha e vëzhgimit. Gjetja e transportit për në apartamentin e prindërve të saj doli e vështirë.

Më në fund kishin gjetur një autobus që mund t’i çonte në gjysmë të rrugës.

Pesë orë pas lindjes, Al Gherbawi kishte ecur përsëri në shtëpinë e prindërve të saj duke u ngjitur në pesë kate.

Një armëpushim tjetër është arritur për Gazën në vjeshtë dhe ai ka hyrë në fuqi më 10 tetor.

Armëpushimi është arritur bazuar në një plan 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump. Deri më tani është realizuar vetëm faza e parë e tij, ndonëse edhe kjo nuk ka kaluar pa rikthim të sulmeve nga ana izraelite, e cila akuzonte shpeshherë grupin militant Hamas për shkelje.

Gjatë fazës së parë të armëpushimit, parashihej lirimi i të gjitha pengjeve që Hamasi i kishte marrë në jug të Izraelit gjatë sulmit të 7 tetorit 2023. Pengjet e gjalla janë kthyer menjëherë të gjitha, ndërkaq ka mbetur vetëm edhe një trup pengu pa u kthyer. Hamasi thotë se nuk po arrin ta gjejë pavarësisht përpjekjeve, për shkak se trupi mund të jetë varrosur nën gërmadhat e shumta që janë shkaktuar në territor si pasojë e luftës.

Faza e tjetër e armëpushimit parasheh procese më të vështira, si administrimi i Gazës dhe çarmatosja e Hamasit.