Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dy dekada pas, ende s’ka dënim për arkitektin e sulmit të 11 shtatorit

Një numër i madh shtyrjesh dhe vonesash në procesin ndaj Khalid Shaikh Mohammed ka lënë familjarët e gati 3000 viktimave të sulmit më të madh terrorist në histori, 11 shtatorit 2001, ende në kërkim të përgjigjes dhe masave ndaj njeriut që u kap në mars të 2003-s në Pakistan, si i kërkuar për një numër aktesh terrori.

Shtyrja e fundit erdhi muajin e shkuar kur seancat paragjyqësore, të planifikuara për këtë vjeshtë, u anuluan. Qe tjetër zhgënjim për amerikanët që po presin dënimin e Mohammedit për krimet e tij.

Eddie Bracken, që pati humbur motrën, ka thënë se është i nervozuar, por edhe i kupton shtyrjet një dekadë pasi mori pjesë në seancat dëgjimore për Mohammedin në Guantanamo.

“E gjithë bota po na shikon dhe po pyet ‘çfarë po ndodh pas gjithë kësaj kohe?’” ka thënë Bracken.

Përderisa Mohammedi është ende në Guantanamo, lideri i al-Qaidas, Osama Bin Laden, u vra në vitin 2011. I pyetur, nëse është i zhgënjyer me faktin që Mohammedi është gjallë, Brackeni ka thënë se më shumë i intereson fakti se si personi i kapur është qe gati dy dekada në paraburgim ushtarak.

Gordon Haberman, një burrë nga Wisconsini, të cilit iu vra e bija 25-vjeçare, ka thënë se shtyrjet e drejtësisë e kanë lënë tejet të frustruar. Ai ka udhëtuar katër herë drejt Guantanamos.

“Duhet ta di. I kam premtuar se do ta ndjek këtë deri në fund. Dhe Guantanamo ishte një nga ato rrugë”, ka thënë ai për AP-në.

Haberman ka thënë se po e ndjek edhe procesin gjyqësor civil në gjykatën federale të New Yorkut, që synon t’i mbajë përgjegjës financiarisht ata që janë përgjegjës për sulmet.

“Është me rëndësi për mua që Amerika ta kuptojë të vërtetën se çka ka ndodhur... si ka ndodhur”, ka thënë ai.

Mohammedi ishte numri tre i Al-Qaidas. Kapja e tij ishte cilësuar sukses, por gjykimi i vonuar po shihet si dështim.

Teksa të dielën bëhen 21 vjet nga sulmet e 11 shtatorit, Mohammedi dhe katër persona tjerë, të akuzuar për krimet për bashkëpunim në këtë sulm terrorist, ende mbahen në qendrën e paraburgimit në Guantanamo.

Vështirësitë në organizimin e një procesi të mirëfilltë gjyqësor për Mohammedin dhe të burgosurit tjerë të Guantanamos lidhen pjesërisht edhe me rrënjët se çfarë i ka bërë atij SHBA-ja pasi e kapi më 2003. Fillimisht ai u mbajt në burgjet sekrete jashtë vendit. Në kërkim të informacioneve për të kapur edhe liderë të tjerë të Al-Qaidas, zyrtarët e CIA-s e përfshinë në teknika që po konsiderohen si tortura, nga grupet e të drejtave të njeriut. Mohammedi u hodh në ujë – deri sa humbte vetëdijen – 183 herë.

Një hulumtim i Senatit ka thënë se këto teknika s’kanë kryer punë. Por ka shkaktuar shtyrje të pafundme të procesit, pasi që thuhet se raportet e FBI-së mund të përdoren kundër tyre.

Pretendimet për tortura kanë ngritur shqetësimet se vetë SHBA-ja ka mundësi që ka humbur shansin për ta vënë Mohammedin në gjykim në gjykatë civile.

Por më 2009, ish-presidenti Barack Obama vendosi të përpiqej, duke njoftuar se Mohammedi do të transferohej në New York e do të gjykohej në Manhattan.

“Dështimi s’është opsion”, pati thënë Obama.

Por New Yorku u tërhoq për shkak të kostos së sigurisë. Më pas u njoftua se Mohammedi do të përballet me gjykim ushtarak. Dhe deri tash kanë kaluar dhjetëra vite.

Hetuesit amerikanë kanë thënë se Mohammedi kishte planifikuar sulmet e 11 shtatorit për tre vjet. Ata kishin marrë për bazë një disk kompjuterik që e kishin konfiskuar pas arrestimit të tij. Aty ishin fotografitë e 19 rrëmbyesve, tri letra nga Bin Ladeni dhe informatat për sulmuesit.

Vetë Mohammedi kishte thënë se është betuar për besnikëri ndaj Bin Ladenit e se i ka shërbyer si drejtor operativ për gjithçka lidhur me këto sulme nga “A deri në ZH”.

Sipas deklaratave të tij, Mohammedi ka marrë përgjegjësinë edhe disa sulme të mëhershme.

Sulmet e 11 shtatorit 2001, të njohura edhe si 9/11, ishin sulme të koordinuara terroriste të kryera nga rrjeti Al-Qaida kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mëngjesin e së martës së 11 shtatorit të atij viti, 19 terroristë rrëmbyen katër aeroplanë që ishin nisur nga verilindja e SHBA-së drejt Kalifornisë. Ata morën kontrollin e aeroplanëve. Qëllimi ishte të godasin ndërtesat më me nam dhe me më së shumti njerëz në SHBA. Me sukses përplasën dy aeroplanë në Kullat Binjake në New York. Aeroplani i tretë goditi Pentagonin. I katërti kishte për qëllim një objekt federal në Washington, por ra në një fushë pasi pasagjerët arritën të ndalin sulmin./AP

Artikuj të ngjashëm