Dy adoleshentë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, si pjesë e hetimit për rastin e marrjes në peng të disa personave në sinagogën e Teksasit.
Autoritetet konfirmojnë se këta dy adoleshentë janë arrestuar dhe mbeten në paraburgim për t’u marrë në pyetje.
Katër persona u mbajtën peng në Teksas, të shtunën nga një pengmarrës i armatosur i identifikuar si shtetasi britanik, 44-vjeçar Malik Faisal Akram.
Akram u vra kur përplasja 10-orëshe mori fund me një ekip të FBI që nxitoi në ndërtesë pasi pengjet e fundit dolën jashtë rreth orës 21:00, raporton Euronews.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u deklarua rreth kësaj ngjarje të cilën e quajti akt terrori.
Në një konferencë për shtyp në Filadelfia të dielën, Biden tha se Akram dyshohet se ka blerë një armë në rrugë.
Hetuesit federalë besojnë se Akram ka blerë pistoletën e përdorur në marrjen e pengjeve në një shitje private, sipas një personi të njohur me çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti, sepse hetimi është në vazhdim.
Akram mbërriti në SHBA në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në Nju Jork rreth dy javë më parë me një vizë turistike, sipas një zyrtari amerikan i cili foli në kushte anonimiteti sepse informacioni nuk kishte për qëllim të ishte publik.
Policia Metropolitane e Londrës tha në një deklaratë se policia e saj kundër terrorizmit ishte duke u lidhur me autoritetet amerikane për incidentin.